Ish-drejtoresha e Drejtorisë të të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska, konsideron se nuk janë shkelur ligjet sepse vlefshmëria e kontratave të këtyre punonjësve nuk fillon pas shpalljes së zgjedhjeve, por nga 14 shkurti, pra në ditën e shpalljes së zgjedhjeve. Krahas DAP-it, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kërkon ndjekje penale edhe të ish-zëvendësministrit në MPB nga radhët e BDI-në, si dhe për dy kryetarë të komunave, raporton Radio Evropa e Lirë.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) vlerëson se 978 punonjës të Drejtorisë të të Ardhurave Publike (DAP) me sistematizimin e ri janë sistemuar në mënyrë të paligjshme gjatë periudhës zgjedhore, prandaj ka marrë vendim për ngritjen e iniciativës për përgjegjësi.
“Për shkeljen e konstatuar KSHPK-ja do të procedojë në kuadër të kompetencave të saj ligjore dhe konform ligjit do të iniciojë procedurë pranë organit kompetent”, tha anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Servet Demiri.
Kryetarja e KSHPK -së, Tatjana Dimitrovska, për Radion Evropa e Lirë, theksoi se një vendim i tillë nënkupton iniciativë për procedurë penale në Prokurorinë Publike. Punonjësit e KSHPK-së do t’i dorëzojnë materialet për lëndën, ndërsa më tej prokuroria do të duhet të caktojë nëse ka hapësirë për ndjekje penale.
Vendimi u votua unanimisht nga të gjashtë anëtarët e KSHPK-së që morën pjesë në seancë. Siç u tha njëri nga anëtarët me arsye nuk ishte i pranishëm.
Denoncimi pranë KSHPK-së është dorëzuar në mënyrë anonime më 26 mars të këtij viti.
Parashtruesi anonim në denoncim ka deklaruar se sistemimi i punonjësve në DAP me ndryshimin e kontratave të punës dhe lidhjen e kontratave të reja është bërë pas shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa sipas rregullores për riorganizimin e brendshëm nga data 9 shkurt.
Në shpjegimin e vendimit Demiri theksoi se kanë konstatuar se pretendimet e parashtruesit anonim për shkelje të dispozitave ligjore gjatë zgjedhjeve janë të bazuara sepse “këto janë veprime që paraqesin rrezik për korrupsion dhe ndikime politike gjatë procesit zgjedhor”.
Llukarevska: Gjithçka është bërë brenda afatit ligjor
Bëhet fjalë për sistemime të punonjësve në muajin shkurt dhe mars, pra gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën më 24 prillit dhe 8 maj. Zgjedhjet u shpallën më 14 shkurt nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jovan Mitreski.
Në atë periudhë drejtoreshë e Drejtorisë të të Ardhurave Publike ishte deputetja aktuale Sanja Llukarevska, sipas së cilës nuk është shkelur ligji.
“Kishim një ndryshim në sistematizimin e ri dhe e gjithë kjo është bërë brenda afatit të duhur ligjor. Kontratat për sistemin janë me vlefshmëri nga 14 shkurti”, tha Llukarevska për Radion Evropa e Lirë.
Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një vendim të votuar sot në KSHPK, ish-drejtoresha thekson se nuk ka informacion se për çfarë konkretisht bëhet fjalë që të mund të japë më shumë detaje.
Megjithatë, ajo thekson se për çështjen e sistematizimit të ri në Drejtorinë e të Ardhurave Publike ka punuar një grup i posaçëm pune me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Nga ana tjetër, në seancën e KSHPK-së u shpjegua se bëhej fjalë për sistemimin e punonjësve që kishin statusin e nëpunësit shtetëror dhe punonjësve që kryejnë punë ndihmëse-teknike.
Sipas asaj që u prezantua në seancën e KSHPK-së për rastin në fjalë kanë vepruar inspektoratet kompetente dhe i kanë konstatuar parregullsitë.
“Për parregullsitë e konstatuara me kërkesë të KSHPK-së ka vepruar edhe një autoritet tjetër dhe është shqiptuar masë inspektuese për miratimin e aktit me të cilin anulohet vendimi për sistemimin në vendet e punës”, tha Demiri.
Për vendimin se sistemimet janë të paligjshme KSHPK-ja u thirr në dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit (neni 34) dhe Kodit Zgjedhor (neni 8a).
Në to thuhet se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e përfundimit të zgjedhjeve për president dhe deputetë në Kuvend dhe deri në ditën e zgjedhjes së qeverisë së re, ndër të tjera, nuk mund të nisin procedurat për punësim të punonjësve të rinj apo për ndërprerje të marrëdhënies të punës në institucionet shtetërore dhe publike.
Iniciativë e zgjeruar për përgjegjësi penale për Bushin
Seanca në të cilën lënda me DAP-in ishte në rendin e ditës pranë KSHPK-së është e teta me radhë e përbërjes së re të KSHPK-së. Seanca e sotme është vazhdimi i dytë i seancës së tetë. Në seancën e parë më 24 korrik, Komisioni vendosi që të ngrejë iniciativë për ndjekje penale për ish zëvendës-ministrin e MPB-së nga radhët e BDI-së, Nazim Bushi.
Dhe në këtë rast antikorrupsionerët kanë marrë vendim për të njëjtat parregullsi – sistemim të paligjshëm gjatë procesit zgjedhor. Siç e prezantoi në atë kohë Dimitrovska, bëhej fjalë për 189 vendime për sistemim të marra nga Bushi.
Në vazhdimin e sotëm (1 gusht) kësaj lëndë iu shtuan edhe 15 sistemime të tjera të bëra nga ish-zëvendësministri, dokumentacioni për të cilat ndërkohë ka arritur në KSHPK.
Tani iniciativa për ndjekje penale do i referohet gjithsej 204 sistemimeve.
Gjatë procesit zgjedhor, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte një person nga radhët e VMRO-DPMNE-së së atëhershme opozitare, ministri aktual i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski. Nga radhët e LSDM-së kishte një zëvendës shtesë, Mitko Bojmacalijev.
Mirëpo, këta të dy, në përputhje me ligjin, u larguan nga pozitat e tyre pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KSHZ-ja, kështu që në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme mbeti Bushi.
Ai e mori detyrën më 31 maj dhe e drejtoi ministrinë deri më 23 qershor kur u zgjodh Qeveria e re. Siç konstatoi KSHPK-ja, vendimet për sistemimin janë marrë gjatë kësaj periudhe.
Kërkohet ndjekje penale edhe e dy kryetarëve të komunave
Nga seanca e tetë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dolën edhe disa iniciativa të tjera për përgjegjësi penale që do të dërgohen pranë Prokurorisë Publike.
Mes tyre janë edhe për dy kryetarë të komunave. Njëri është nga një qytet i Maqedonisë së Veriut dhe sipas KSHPK-së parregullsitë e konstatuara tek ai kanë të bëjnë me emërimin e një drejtoreshe të një shkolle pa e dhënë provimin për drejtor, që është kusht sipas ligjit.
Kryetari i dytë, nga ana tjetër, është kryetar i një prej komunave të Qytetit të Shkupit. Tek ai janë konstatuar parregullsi për dy çështje – emërimin e ushtruesit të detyrës drejtoreshë të një kopshti të fëmijëve që nuk i ka plotësuar kushtet, por edhe për angazhimin e 76 personave me kontratë në vepër për nevojat e komunës, për çka nuk ka pasur pëlqim nga Ministria e Financave.
Angazhimi i këtyre personave pa pëlqimin e Ministrisë së Financave ka qenë arsyeja që KSHPK-ja sot ka ngritur iniciativë për ndjekje penale të drejtorit aktual të një institucioni në kuadër të Qytetit të Shkupit.
Përbërja aktuale e KSHPK-së, e kryesuar nga kryetarja Tatjana Dimitrovska, mandatin e filloi më 8 shkurt të vitit 2024.
Tre nga shtatë anëtarët e këtij ekipi, përfshirë këtu edhe kryetaren, janë revizorë nga Enti Shtetëror i Revizionit, dy janë punonjës të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ka edhe një gjykatëse, si edhe një anëtar që më parë ka punuar në fushën e revizionit të ndihmës para anëtarësimit për në BE.