Me një varg festash dhe manifestimesh nën sloganin “Lufta vazhdon”, sot do shëmohet 121 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës dhe 80 vjetori i seancës së parë të KAÇKM-së. Manifestimi qendror për shënimin e Ilindenit – Ditës së Republikës do të mbahet në Krushevë të Gumenjës dhe në zonën e Meçkin Kamen (Guri i Ariut), ku fjalim do të mbajë kryeministri Hristijan Mickoski, i cili paraprakisht do të vendosë lule në varrin e Nikolla Karevit, transmeton Portalb.mk.
Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova, nga ana tjetër, fillimisht ka shkuar në Pelincë, ku në ora 10:00 vendosi lule të freskëta para qendrës përkujtimore KAÇKM-së, ku do të mbajë fjalim dhe do të vizitojë Qendrën Përkujtimore.Nga aty Siljanovska-Davkova do të shkojë në manastirin “Shën Prohor Pçinski” ku do të pritet nga kolegu i saj serb Aleksandar Vuçiq.
Në Shkup, përkujtimi i 2 gushtit – Ditës së Republikës do të bëhet në sheshin “Maqedonia”, ku kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, do të vendosë lule të freskëta para përmendores së kryetarit të ASNOM-it, Metodija Andonov – Çento.
Festimi i 121-vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës filloi dje në Krushevë, kur delegacionet vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Kongresit të Smilevit dhe monumentin e Damjan Gruevit. Në të njëjtën kohë u hap manifestimi “10 ditët e Republikës së Krushevës” me leximin e Manifestit të Krushevës dhe ngritjen e flamurit të Republikës së Krushevës.
Fillimin e kryengritjes së Ilindenit e shpallën kambanat në Krushevë në mesnatën përballë Ilindenit të vitit 1903. Rreth 800 kryengritës e çliruan qytetin dhe pas dy ditësh Nikolla Karev shpalli Republikën e Krushevës dhe u bë president i saj. Republika e Lirë zgjati dhjetë ditë.