NTP “Shkupi” dhe Qyteti i Shkupit nuk kanë para për të paguar kredinë për autobusët MAN që janë blerë në vitin 2020, në kohën e ish-kryetarit Petre Shilegov. Për blerjen e autobusëve është nënshkruar një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një kredi prej 10 milionë euro. Marrëveshja për kredi është nënshkruar në vitin 2019, sipas së cilës kredia duhet të paguhet nga kompania e transportit publik, me garantues kryesor Qytetin e Shkupit dhe garant dytësor Ministrinë e Financave, raporton Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.
Kësti vjetor për 33 autobusët me gaz është rreth një milion euro, por këtë vit as NTP “Shkupi” dhe as Qyteti i Shkupit nuk kanë para për të paguar këstin, kështu që tani Banka Evropiane kërkon që shteti ta shlyejë borxhin.
Ministria e Financave konfirmon se ka pranuar kërkesë nga BERZH për arkëtimin e kredisë.
“Marrëveshja e garancisë e lidhur ndërmjet NTP-së si debitor kryesor, Qytetit të Shkupit si garant kryesor dhe Ministrisë së Financave si garant dytësor, rregullon mënyrën e pagesës së detyrimeve të garantuara dhe instrumentet për sigurimin e kërkesave në bazë të garancive të paguara. Nëse TP si debitor kryesor dhe Qyteti i Shkupit si garantues primar nuk i shlyejnë detyrimet, atëherë në përputhje me Ligjin për Garanci dhe Kontratën për dhënien e garancisë, Ministria e Financave vazhdon me pagesën e detyrimit. Kërkesa për shlyerjen e detyrimeve ndaj Ministrisë së Financave është dorëzuar nga BERZH”, tha Ministria e Financave.
Paratë e nevojshme për të paguar këstin e kredisë sigurohen nga ribalancimi i buxhetit. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska para dy javësh në një konferencë për media ku prezantoi ribalancimin e buxhetit tha se shteti është dashur të sigurojë para për kreditë që nuk i paguajnë institucionet tjera, përfshirë edhe për NTP “Shkupi”, dhe këto para, Qeveria e mëparshme e Dimitar Kovaçevskit nuk i kishte parashikuar.
“Me ribalancimin janë siguruar 5,1 miliardë denarë për shlyerjen e kredive jashtë vendit të Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Hekurudhat e Maqedonisë, NTP ‘Shkup’ dhe EMV, të cilat nuk janë në gjendje të paguajnë kreditë për të cilat janë dhënë garanci shtetërore“, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Nga NTP “Shkup” dhe nga zyra e kryetares Danela Arsovska nuk morëm përgjigje në pyetjen tonë pse nuk janë në gjendje ta paguajnë kredinë.
Në janar të këtij viti, NTP “Shkup” ka pranuar 11 milionë euro subvencione nga Qyteti i Shkupit për pagesën e pagave dhe shlyerjen e obligimeve.
Kryetarja Danela Arsovska si kandidate e VMRO-DPMNE-së fitoi zgjedhjet lokale të vitit 2021 me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve ekologjikë. Ajo, jo vetëm që nuk e realizoi këtë premtim parazgjedhor, por në Shkup nuk ka më shërbim të rregullt të autobusëve, transportuesit privatë vazhdimisht protestojnë për shkak se nuk paguhen, kështu që disa prej tyre nuk lëvizin, ndërsa shoferët eNTP-së akuzuan se autobusët janë nuk riparohen rregullisht dhe meqenëse menaxhmenti i detyron të lëvizin me automjete me defekt, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të pasagjerëve.