Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nesër (02.08.) Departamenti për çështje civile, gjegjësisht të gjitha njësitë rajonale në kuadër të Departamentit, si dhe pikat në objektin e RTVM-së dhe “Beko” në Shkup, do të punojnë në dhënien e dokumente personale të gatshme për qytetarët (dokumentet e udhëtimit, kartat e identitetit dhe patentë shoferi), transmeton Portalb.mk.
“Njëkohësisht, në Shkup (RTVM dhe “Beko”) shërbimet administrative do të punojnë në periudhën nga ora 08:00 deri në 16:00, ndërsa në të gjithë vendin shërbimet rajonale administrative do të punojnë në periudhën nga ora 08:00 deri në ora 12:00”, thonë nga MPB.
Ndryshe, qytetarët kanë paguar mbi 13 milionë euro për lëshimin e pasaportave në procedurë urgjente në gjysmë viti, sipas analizës së BIRN, bazuar në të dhënat e marra nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Dymbëdhjetë shkurti i këtij viti ishte dita e fundit që mund të dilje jashtë vendit me pasaportë me emrin e vjetër të vendit. Pas kësaj periudhe, ju mund të largoheni nga vendi me pasaportë me emrin e ri të vendit. Në ato vende me të cilat kemi marrëveshje, kufijtë mund të kalohen me letërnjoftim.
Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.