Kryetari i sindikatës së minatorëve të Trepçës Ibrahim Januzi i tha RTV21 se përgjegjësit kryesor se pse miniera e Trepçës nuk ka prodhim të mjaftueshme janë bordi dhe menaxhmenti i Trepçës të emëruar pikërisht nga qeveria e Kosovës.
Januzi këtë deklaratë e bëri pasi qeveria e Kosovës doli me një kumtesë ku tha se Qeveria e Kosovës pret rritje të prodhimit në mënyrë që të rregullohet stabiliteti financiar i kësaj ndërmarrjeje. Në anën tjetër krye sindikalisti i minatorëve të Trepçës tha se minatorët nuk do ta ndalin grevën deri sa të realizohen pagat e tyre.
“Minatorët nuk e kanë qëllim që të hyjnë në luftë me qeverinë apo t’i dalin kundër shtetit sepse për këtë shtet punojmë të gjithë. Por si kundër përgjigje për qeverinë ua bëjë me dije se fajtor pse Trepça ska prodhim nuk janë minatorët por është bordi dhe menaxhmenti i emëruar nga vet qeveria andaj nëse duhet të kërkohet llogari diku kjo është adresa dhe nuk janë minatorët ata që e zvogëlojnë prodhimin. Ndërsa ne mbesin të palëkundur në kërkesat tona deri në realizim të pagës nuk ndalet greva”, tha Januzi./RTV21/21Media