Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, e ka cilësuar si një veprim pozitiv largimin e tij nga Arsenali te Bayer Leverkusen verën e kaluar.
Xhaka u largua në verën e vitit 2023 nga Arsenali, pas tetë vitesh në Emirates, ku ishte njëri nga lojtarët kryesorë.
Transferimi nga Topçinjtë te Leverkuseni u kritikua mjaft shumë, pasi klubi gjerman në sezonin e fundit para kalimit të Xhakës, luftoi për mbijetesë.
Megjithatë, në sezonin e fundit, me transferimin e mesfushorit prishtinas dhe disa lojtarëve tjerë, Leverkuseni befasoi të gjithë duke fituar titullin në Bundesligë.
Tani, gjatë përgatitjeve parasezonale, Xhaka është pyetur edhe një herë për kalimin e tij nga Arsenali te Leverkuseni, veprim të cilin e ka cilësuar si “dy hapa para”.
“Për mua nuk ishte një hap prapa, por dy hapa përpara. Sepse pata pikërisht ndjenjën, në diskutimet me trajnerin dhe me Simon Rolfes, se diçka e veçantë mund të ndodhte këtu në vitet e ardhshme”, ka thënë Xhaka për “Bild”.
Ndryshe, Xhaka pësoi një dëmtim të lehtë në “Euro 2024” me Zvicrën, por tani është i rikuperuar plotësisht dhe i gatshëm për sezonin e ri me Leverkusenin. /Telegrafi