Në kuadër të lojërave olimpike dhe paraolimpike “Paris 2024”, Ambasada e Francës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kanë organizuar ekspozitën “Les Elles des Jeux”, kushtuar femrave në lojërat olimpike.
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, u shpreh shumë i lumtur që për herë të parë në lojërat olimpike ka pasur numër të barabartë të meshkujve dhe femrave.
Ai theksoi se delegacioni i Kosovës është i pari që ka më shumë sportiste femra sesa meshkuj në lojërat olimpike.
Gueroti shtoi se megjithëse ka qenë një udhëtim i gjatë, kjo gjë e bën krenarë dhe është pikërisht ajo që ekspozita e shfaqur në Prishtinë paraqet.
“Jam shumë i lumtur për organizimin e kësaj ekspozite, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës. Ceremonia e hapjes së ekspozitës “Les Elles des Jeux” (Femrat dhe Lojërat Olimpike) këtu në Prishtinë ishte madhështore”.
“Kjo ekspozitë është për gratë në lojërat olimpike. Lojërat olimpike dhe paraolimpike ‘Paris 2024’ janë të parat ku kemi sportiste femra po aq sa meshkuj. Ka qenë një proces i gjatë për femrat, për t’u bërë pjesë e këtyre lojërave”.
“Francezi Pierre de Coubertin, i cili e ka shpikur konceptin e lojërave olimpike, ishte vizionar në konceptin e ti, por jo edhe në përfshirjen e grave. Një pikëpamje shumë konservative e asaj kohe. Ka qenë një udhëtim i gjatë, por për herë të parë kemi aq sportiste femra sa meshkuj, një gjë që na bën shumë krenarë, storien e së cilës po e tregon edhe kjo ekspozitë”.
“Dua të theksoj po ashtu se kam shumë admirim për Kosovën, një vend i vogël por që i delegoi nëntë atletë, njëra prej të cilëve, Distria Krasniqi, mori një medalje të argjendtë. Po ashtu, delegacioni i parë që ka më shumë femra se meshkuj”, ka thënë Gueroti për Ekonominë Online.
Ndërsa, udhëheqësja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në KOM, Rejhana Halili, ka thënë se organizimi ka mbledhur një numër i madh i institucioneve parashkollore për ta parë transmetimin live të sportistëve.
“Organizimi i festivalit olimpikë ‘Paris 2024’ ka shkuar mjaftë mirë, siç po shihet sot kemi një numër të madh të institucioneve parashkollore. Duke pasur parasysh sfidën më të madhe e kemi janë në pushime verore, mirëpo ne i plotësojmë me fëmijët parashkollorë. Festivali është edhe një ekspozitë e cila linçohet nga Ambasada e Francës. Parisi na ka sjellë emocione të përshkruar këtë herë kemi pasur në transmetim drejtpërdrejtë të gjithë sportistëve tanë. Medalja argjend e Distrisë është një arritje mjaft e madhe, ajo tani posedon dy medalje olimpike”, njoftoi Halili.
Ndërkaq, ajo foli edhe për ndeshjen e djeshme të xhudistëve Akil dhe Nora Gjakova, ku sipas saj, edhe pse nuk fituan Kosovës i solli mjaft emocione.
Po ashtu, Halili ka thënë se për organizim ka pasur mjaft interesim prej fëmijëve, për të promovuar sportin e karatesë, i boksit, atletikës dhe sporteve të tjera.
“Dje ishim prapë në emocione në garën e Norës dhe Akilit siç e kemi parë, nuk arritën medalje, por rezultatet e tyre ishin kulmore. Sot po presim Laurën Fazliu, ajo do të garojë prej orës 11:00, po presim një rezultat kulmor edhe prej tyre. Interesimi për t’u kyçur në festival është shumë i madh i kopshteve po për shkak të nxehtësisë së madhe ne po i selektojmë disa grupe shumë të mëdha, sepse po i frikohemi nxehtësisë, kjo është një sasi e mjaftueshme, këtu po promovohet sporti i karatesë, i boksit, atletikës. Në ditët në vijim do të kemi sportet e tjera. Nuk është vështirë puna me ta dhe u pa se impakti i djeshëm i pjesëmarrjes së fëmijëve nga prindërit ishte shumë i madhe dhe kjo ishte një kënaqësi”.