Mendoj se duhet të shikojmë pozitivisht dhe të jemi të lumtur që të gjithë kërkojmë t’i përkushtohemi më shumë kërkimit shkencor dhe arritjeve akademike. Me këtë shteti nuk humbet dhe mendoj se është investim për të ardhmen, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i ekologjisë, Izet Mexhiti, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk pajtohet me idenë e krijimin e një Akademie paralele të Shkencave dhe Arteve Shqiptare.
Mexhiti tha se nuk mjafton që në ASHAM ka akademikë shqiptarë.
“Pas shumë debatesh dhe kërkesash, janë tre-katër akademikë, por në ASHAM nuk ka asnjë punonjës. Askush nuk mund të më bindë se nuk ka shqiptarë që mund të punojnë në ASHAM”, tha zëvendëskryeministri.
Mexhiti iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve për ndryshimet në balancues.
Ai tha se do ta luftojë me një sërë kundërargumentesh qëndrimin e ministrit Minçev rreth përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, që nga 29% duhet të jetë në 25%.
“Mendoj se jemi në fillime, dhe mbi të gjitha, dhe mbi të gjitha, ministria e Administratës, ka akoma problem me hapësirat se ku do të vendosen. Kështu që ka prioritete të tjera dhe mendoj se fokusi i qeverisë dhe shtyllat ishin zhvillimi ekonomik, standardi i jetesës i qytetarëve, kthimi i sundimit të ligjit, orientimi evropian i qeverisë, decentralizimi, dhe mendoj se duhet t’i përkushtohemi këtyre fokuseve të qeverisë së re, dhe jo ndaj provokimeve, se sa shqiptarë duhet të punësohen.
Në ligj qëndron se përfaqësimi i drejtë duhet të jetë në bazë të popullatës së qeverisë, nuk qëndron në rezidentë apo jorezidentë, por në bazë të popullatës. Por këtë do ta zgjidhim brendapërbrenda qeverisë, me një numër kundërargumentesh, por u bëj thirrje edhe Minçevit dhe ministrave të tjerë t’i përkushtohen fokuseve të qeverisë që janë nënvizuar bashkërisht. Në të kundërt, ndaj këtyre provokimeve, do të vijojnë kundërargumentet”, tha Izet Mexhiti./Telegrafi/