TV LIVE
Kuriozitete
27 July 2024
Nis restaurimi i “Shtëpisë së Moisive”/ U dëmtua nga tërmeti, muzeu etnografik i Durrësit 5 vite i mbyllur

Muzeu Etnografik i Durrësit, i cili qëndron i mbyllur prej pesë vitesh po i nenshtrohet restaurimit. Godina e njohur edhe si “shtëpia e Moisive, pasi në të ka banuar aktori i madh Aleksandër Moisiu u dëmtua gjatë tërmetit të vitit 2019.

Investimi në rehabilitimin e muzeut dhe kthimin e tij në gjendjen e mëparshme kap vlerën e 45 milion lekë, të akorduara nga fondet e Bashkimit Europian.

Sipas projektit, afati për përfundimin e punimeve është përcaktuar 12 muaj dhe verën e ardhshme pritet që muzeu të jetë i hapur dhe funksional për të gjithë turistët dhe vizitorët që kanë interes.

Lëkundjet e forta sizimike të 26 nëntorit të vitit 2019, ku Durrësi ishte një nga qytetet më të goditura, dëmtoi rëndë strukturën e godinës së vjetër dy katëshe. Dëmtime pësoi gjithashtu edhe tavani, çka solli mbylljen e detyrueshme te muzeut.

Ndërkohë në proces rikonstruksioni është edhe muzeu arkeologjik i Durrësit, punimet e të cilit nisën një vit më parë. Po ashtu restaurime po kryhen edhe në murin e kalasë së qytetit bregdetar.

Pas punimeve, këto objekte të rëndësisë së veçantë do të jenë të hapura për turistët, pasi qëndruan të mbyllura për një periudhë të gjatë.

Përveç bregdetit, të huajt që vizitojnë Durrësin, në mungesë të muzeve, vitet e fundit kanë shprehur gjithnjë dhe më shumë interes për të vizituar sitet arkeologjike për t’u njohur në këtë mënyrë me historinë e lashtë të qytetit./abcnews.al

 



Të ndryshme
Më shumë