Sipas disa raportimeve dhe rrjedhjeve të informacionit, ndërfaqja e ardhshme One UI bazuar në Android 15 do të ketë disa ndryshime dizajni të konsiderueshme dhe që duket sikur janë frymëzuar nga iOS 18.
Programi testues i One UI 7 mund të fillojë në javën e fundit të Korrikut. Por nuk do të detyroheni të prisni gjatë për të parë ndryshimet e mëdha që versioni i ardhshëm i One UI ka planifikuar.
Imazhe të panelit të konfigurimeve të shpejta zbulojnë një pamje më të ëmbël me cepa të rrumbullakosura që ngjan shumë me iOS 18.
Përdoruesit do të mund ta përshtatin këtë dizajn, të zhvendosin ikonat dhe të shtojnë e heqin prej tyre. Duke tërhequr me gishtin tuaj nga cepi i djathtë i ekranit do të shfaqet paneli i konfigurimeve të shpejta, ndërsa duke tërhequr nga cepi i majtë do të shfaqet paneli i njoftimeve.
Një video gjithashtu tregon versionin e Samsung të Dynamic Island implementuar nga Apple ku njoftimi i kronometrit shfaqet si një pilulë ngjitur me orën në krye të ekranit të telefonit.
Duke mbajtur të shtypur mbi të, hapat një dritare pluskuese e kronometrit për qasje të shpejtë në kontrollet e tij.
Bazuar në të gjitha informacionet e publikuara gjer më sot, Samsung po përgatitet për ndryshime madhore në dizajnin e One UI 7. Këto përmirësime do të vinë krahas ndryshimeve që Google ka planifikuar me versionin bazë të Android 15.
Disa prej tyre mund të shkaktojnë reagim duke qenë se janë shumë të ngjashme me iOS. Ndërkaq pritet që Samsung të zbulojë One UI 7 dhe programin e saj beta javën e ardhshme me një debutim përfundimtar në fund të Shtatorit ose fillim të Tetorit. /PCWorld Albanian