TV LIVE
Kuriozitete
26 July 2024
Kush e ndërtoi në të vërtetë kalanë e Porto Palermos dhe a i vrau Ali Pashë Tepelena inxhinierët francezë?

Në jug të gjirit ku ndodhet Baza Ushtarake e Porto Palermos, është Kalaja e Ali Pashë Tepelenës që ai e ndërtoi dhe ia dhuroi gruas që deshi fort, Vasiliqisë. Kjo kala është vendosur në një nga plazhet më të bukura të jugut dhe është kthyer një destinacion popullor për turistët për shkak të historisë dhe miteve që rrotullohen rreth saj.

Fotoreporteri britanik Robert Hackman hyri brenda Kalasë se Ali Pashës dhe e tregoi në dokumentarin e DritareTV. Ai tregon si ishte dikur kalaja, kur e vizitoi rreth 20 vjet më parë dhe sot që po vizitohet nga mijëra turistë.

Fotoreporteri flet për mitet që thuhen për kalanë, kush e ndërtoi venecianët apo Ali Pasha, a i vrau Ali Pasha inxhinierët që rinovuan kalanë, dhuratën për gruan ortodokse, strehimin e britanikëve në këtë kala gjatë Luftërave Napoleonike dhe shumë të tjera.

Rrëfimi i fotoreporterit Robert Hackman:

“Në mes të Gjirit të Porto Palermos është një ishull i vogël i lidhur me një brez toke të hollë. Unë do ta quaja një ishull, por ndoshta është një gadishull. Në këtë ishull ndodhet një kështjellë e quajtur Kalaja e Porto Palermos, e cilësuar ndonjëherë si Kalaja e Ali Pashës. Kjo kala ka shumë të ngjarë të jetë ndërtuar nga venedikasit, pasi ka një dizajn shumë të ngjashëm me kështjellën veneciane pak më në jug nga këtu, në Butrint, e cila u ndërtua në vitin 1500. Për ta ndërtuar një kështjellë këtu do të ishte shumë e rrezikshme pasi kodrat pas kështjellës janë shumë të larta. Dikush mund të vendoste lehtësisht artileri atje dhe ta merrte këtë kështjellë. Pra, padyshim ishte ndërtuar nga një popull detar që mund t'i shërbente kështjellës nga deti.

Ne e dimë se kjo kështjellë në vitin 1662 ishte një shqetësim i madh për venecianët. Ata ishin të shqetësuar se osmanët që po pushtonin do të merrnin komandën e kësaj kështjelle dhe do të sulmonin Korfuzin, vetëm dy, tre milje larg kanalit.

Pra këtu ka qenë një kështjellë në vitin 1662 para Ali Pashës. Ali Pasha ishte një despot që kontrollonte të gjithë këtë zonë në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit të 19-të. Me shumë mundësi e rinovoi këtë kështjellë. Një nga historitë e bashkangjitura me kalanë është se dy inxhinierë francezë e ndihmuan Ali Pashën për ta rinovuar. Pas përfundimit të rinovimit ai i vrau të dy, ndoshta për të mbrojtur ndonjë sekret në lidhje me të. Por ndoshta kjo histori është një mit dhe është thënë më shumë për të treguar për pamëshirshmërinë e Ali Pashës sesa për përpjekjen për të mbajtur sekretet e kësaj kështjelle. Duhen 300 lekë të rinj për të hyrë tani. Ishte falas për shumë vite, por me rritjen e turizmit dhe ndihmën për mirëmbajtjen e kalasë, është një tarifë e vogël hyrjeje. Ia vlen të vini këtu dhe të bëni një vizitë, të shikoni përreth dhe të eksploroni Kalanë e Ali Pashës.

Epo, ky është një transformim mjaft i madh. Unë kam 20 vjet që nuk kam qenë brenda kësaj kalaje dhe atëherë nuk kishte tarifë, direkt hyje brenda. Nuk ishte e rregullt dhe e pastër si sot. Nuk mund t’i shihje dyshemetë me gurë që duken kaq bukur pas shekujsh përdorimi. Është një kështjellë kaq e bukur në një mjedis kaq të mrekullueshëm. Dhe sa mirë që sot e shoh kaq të rregullt dhe të pastruar.

Mesi i kështjellës është një zonë e hapur me paradhoma të ndryshme që dalin prej saj. Kjo kala iu dha edhe britanikëve për t'u përdorur në fillim të viteve 1800. Ali Pasha, i cili kishte në dorë këtë kala, ua dha gjatë Luftërave Napoleonike. William Leake, i cili ishte një diplomat dhe atashe ushtarak britanik i Ali Pashës dhe sundimtarëve të tjerë të kësaj zone, e inspektoi këtë kështjellë në vitin 1806 dhe të vetmit që i mbronin atë ishin dhjetë ushtarë dhe dy armë prej katër kilogramësh. Pra, Ali Pasha nuk i kushtoi shumë rëndësi strategjike këtij instalimi. Prandaj ai ua dha britanikëve për ta përdorur në Luftërat Napoleonike. Asnjëherë nuk u përdor aq shumë dhe pas vdekjes së Ali Pashës u shndërrua në gërmadhë.

Një nga mitet dhe tregimet për këtë kala është se Ali Pasha e ndërtoi atë për një grua shumë më të re që ai e quante Vasiliqi. Ajo ndoshta ishte në të 20-at kur u martua me të dhe ai ishte në të 70-at. Por ai e donte dhe e adhuronte shumë. Kështu që edhe pse ndoshta nuk e bëri këtë kështjellë për të, por e rinovoi, historia tregon se sa i përkushtuar ishte ai ndaj gruas së tij të re. Në fakt, ai ishte aq i përkushtuar ndaj saj, saqë edhe pse ishte e fesë ortodokse, ajo u lejua ta praktikonte fenë e saj në oborrin që kishte në Tepelenë, si dhe të ndërtonte një kishëz shumë të vogël ku mbante mesha. Kjo ishte shumë e pazakontë duke qenë një zonë myslimane nën sundimin e Ali Pashës dhe me shumë gjasa ai ishte bektashi, që është një rend sufi-mysliman. Kështu që ai ishte shumë i përkushtuar ndaj saj. Ndaj ekziston miti që ai e ndërtoi këtë kështjellë për të.

Por, sado e mrekullueshme që është, kjo kala u përdor edhe si burg nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nga regjimi i ashpër komunist mes viteve 1949 dhe 1950.”, tregon fotoreporteri Robert Hackman.

Dritare.net



Të ndryshme
Më shumë