Pak kompania kanë kontribuar aq shumë në inteligjencën artificiale gjeneruese sa OpenAI. Ditën e Enjte kompania zbuloi një motor kërkimit AI quajtur SearchGPT me të cilin përdoruesit mund të gjejnë përgjigje të shpejta dhe të sakta marrë nga interneti.
Produkti i cili aktualisht është një prototip, përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë me Google që gjithashtu ka tentuar të aplikojë AI gjeneruese në kërkimin në internet.
Kompania thotë se planifikon të integrojë aspektet më të dobishme të saj në ChatGPT në të ardhmen. Ky i fundit është në gjendje të kryejë kërkime në ueb duke përdrur Bing, por SearchGPT është zhvilluar nga OpenAI për të asistuar kërkimin në internet përmes inteligjencës artificiale.
Me SearchGPT përdoruesit mund të shkurtojnë procesin e gjetjes së informacionit online duke kombinuar modelet AI të OpenAI me të dhëna në kohë reale nga uebi. Njësoj si ChatGPT, përdoruesit mund ti bëjnë pyetje SearchGPT ndërsa modeli AI ruan kontekstin gjatë një bisede.
Në aspektin e saktësisë së informacionit që SearchGPT do të servirë, prej veçorive të tij është përfshirja e burimeve në përgjigjet që ofron në formë citimesh dhe lidhjesh.
OpenAI nuk shpjegoi sesi i merr të dhënat në kohë reale nga uebi, apo nëse është duke bashkëpunuar me një motor kërkimit apo ka ndërtuar vetë sistemin e saj të indeksimit të internetit.
Kompania pretendon se SearchGPT i bën kërkimet më të shpejta por një qasje e tillë është ende e paprovuar krahasuar me metodat tradicionale. Përgjatë vitit të fundit kemi parë Perplexity.ai të pozicionohet si një konkurrent i Google por fuqizuar nga AI megjithatë shërbimi është kritikuar e akuzua për plagjiaturë nga publikuesit.
Ndryshe nga Perplexity.ai, OpenAI ka shumë marrëveshje të nënshkruara me publikues dhe ka theksuar që dëshiron të bashkëpunojë me krijuesit e përmbajtjeve në veçanti.
Aktualisht SearchGPT është i qasshëm vetëm për një grup të vogël përdoruesish dhe publikuesish për testim dhe vlerësim. Nëse jeni të interesuar ta provoni, duhet të regjistroheni në listën e pritjes në uebsajtin e OpenAI.