Kënga e Nexhmije Pagarushës ka pushtuar sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës në koncertin dedikuar ikonës së muzikës shqipe që po mbahet sonte, në hapje të edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”.
“T’knoftë zemra!” është motoja për sivjet e festivalit i cili sjell botën operistike, e që ka vendosur ta ngrejë perden me 15 këngë që ringjallin frymën e Pagarushës. Qindra qytetarë janë mbledhur në publik në ngjarjen që sheshin e shndërron në skenë gjigante. Ajo e koncertit të parë ka në qendër portretin bardhezi të Bilbilit të Kosovës me një tis klasik.
Me disa minuta vonesë, e famshmja “Baresha” e ka hapur koncertin nën interpretimin e sopranos Kaltrina Miftari për të vazhduar me “Dashuro” nga Adelina Thaçi.
Veçanti e mbrëmjes është mexosopranoja e njohur nga Egjipti, Farrah El Dibany me një karrierë të bujshme deri në Akademinë e Operës së Parisit. Në skenë fillimisht ka dalë me “Vetë ke mbetë” për t’u rikthyer me interpretim mjeshtëror të këngës “E dehun jam”, me një shqipe simpatike të saj e në përcjellje të orkestrës me ngjyrime jazzi me Genti Shahinin në piano, Emiliano Dhimon në bateri, Roni Gjurën në bas, Xhino Dajën në trumbetë, Ilir Vorpsin në tromb dhe Brikel Gugën në tenor-saksofon.
Mexosopranoja e njohur nga Egjipti, Farrah El Dibany, duke kënduar “E dehun jam” të Nexhmije Pagarushës në koncertin hapës të edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”, të hënën mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë
Kaltrina Miftari ka sjellë “Kur më del në derë” e tenori Artur Vera ka interpretuar “Dashnor t’u bana” për t’u rikthyer tok me sopranon Miftari në duet për “O moj bukuroshe”.
Farrah El Dibany para kolazhit përmbyllës në program ka pasur edhe “E kujtoj atë takim” ky ka qenë takimi i publikut me të parin koncert të RLIOF-it i cili tash e katër edicione vë të tjera standarde të muzikës operistike në vend duke sjellë emra të shquar botërorë.
Tenori Artur Vera në interpretimin e “Kapidan o djal’ i ri” në koncertin hapës të edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”, të hënën mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë
Kolazhi me tri këngë i ka bashkuar krejt solistët në skenë në përmbyllje të koncertit me “Unë ty moj të kam dashtë”, “Mori sylaroshe” dhe “Prishtinë e dashur” kompozuar prej kompozitores së parë kosovare, Sevime Gjinali, njashtu sikurse Pranvera Badivuku prej së cilës është kënduar “E kujtoj atë takim”, e cila fillimisht ishte kënduar nga Esat Bicurri e më pas e kishte rikënduar nga Pagarusha.
Frymëzuar nga kujtimet e tenorit Rame Lahaj, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës “T’knoft zemra”, këtë vit festivali RLIOF bën ndërlidhjen e trashëgimisë muzikore dhe rrëfimeve personale të artistëve me gjuhën universale të operës, pikërisht nën moton “T’knoft zemra”.
Farrah El Dibany para kolazhit përmbyllës në program ka pasur edhe “E kujtoj atë takim” ky ka qenë takimi i publikut me të parin koncert të RLIOF-it i cili tash e katër edicione vë të tjera standarde të muzikës operistike në vend duke sjellë emra të shquar botërorë.
Koncertit të së hënës mbrëma i ka paraprirë ekspozita “Athua ëndërr ishte ti”, me vepra kryemjeshtërish të artit shqiptar, një pjesë nga thesari i Rasim Mrlakut, kuruar prej Arta Aganit. E hapur të dielën pasdite në Galerinë e Fakultetit të Arteve, ekspozita me rreth 40 vepra është shpalosje e historisë së artit në këto anë.
Të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të mbahet edhe koncerti “Opera Night”, i cili do të sjellë emra të ndryshëm të lirikës. Në të njëjtin lokacion, më 28 korrik do të shfaqet dhe koncerti “New Generation”, i cili do ta njoftojë publikun me talente të reja në muzikën operistike. Sheshi “Zahir Pajaziti” do të jetë nikoqir i koncertit “Ensemble Evening”. Gala-mbrëmja “Ramë Lahaj & Friends” me Orkestrën e Operës së Kosovës do t’ia vërë vulën këtij edicioni të katërt në sheshin “Skënderbeu”, sikurse vitin e kaluar.