Faton Hajrizi, i cili kërkohej për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë gjatë ditës së djeshme në fshatin Trbushnicë, në Banja Kovilaça.
Informacionet e para për vrasjen e Hajrizit kanë arritur rreth orës 14:00, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, shumë shpejt nga vendi i ngjarjes iu drejtua mediave dhe ka bërë të ditur detajet e lëvizjes së Hajrizit, si dhe veprimet e policisë.
Sipas mediave në Serbi, Hajrizi me një biçikletë nga Bregu i Lipniçit ka arritur në rrugën për në Banja Kovilaça.
Policia paraprakisht e ka nxjerrë një fotografi të tij në mënyrë që njerëzit të lajmërojnë nëse e shohin Hajrizin.
Një banor e kishte takuar Hajrizin sepse ai i kishte kërkuar ujë. Ai nuk e dinte gjuhën dhe sapo u largua, qytetari serb shkoi në stacionin më të afërt policor për ta lajmëruar. Siç raportohet një ekip policor ka shkuar në vendin e raportimit.
.
Duke treguar terrenin ku u vra Hajrizi, ministri serb vuri në dukje se lumi ishte afër, po ashtu edhe kufiri dhe se po kërkonte një mënyrë për të ikur.
Vrasësi i policit nuk kishte në plan të dorëzohej dhe qëlloi nëntë të shtëna drejt tyre. Ai ka qëlluar dy herë në drejtim të veturës së policisë dhe policia ia ka kthyer me zjarr.
Siç raportohet tutje, një e shtënë e goditi Hajrizin, megjithatë ai filloi të largohej nga rruga.
Policia raportohet se ka gjetur gjurmë në gardhe gjatë tentimit për të ikur, ndërsa Hajrizi gjatë arratisjes ka ndërruar edhe rrobat.
Arma e Faton Hajrizit ishte një pistoletë me dy karikator nga tetë plumba.