Të paktën 11 persona kanë vdekur dhe më shumë se 30 rezultojnë të zhdukur pasi një urë autostrade u shemb pjesërisht gjatë shirave të rrëmbyeshëm në Kinën veriperëndimore. Ura mbi një lumë në qytetin Shangluo të provincës Shaanxi u shemb për shkak të një shiu të papritur dhe përmbytjeve.
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur disa automjete që kanë rënë në lumë, ndërkohë që sipas autoriteteve po vazhdojnë përpjekjet. Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar një përpjekje "të gjithanshme" për të gjetur të zhdukurit.
11 të vdekurit u gjetën në pesë makina që u nxorrën nga lumi. Mendohet se 20 automjete të tjera janë zhytur në ujë.
Video dhe imazhe nga agjencia e lajmeve Xinhua tregojnë një pjesë të zhytur pjesërisht të urës me ujëra të dendur lumi që vërshojnë rreth saj. Sipas Xinhua, zyrtarët dërguan në vendngjarje 736 zjarrfikës, 18 varka dhe 32 drone.
Pjesë të mëdha të Kinës veriore dhe qendrore janë goditur që nga e marta nga shirat që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme.