TV LIVE
Kuriozitete
19 July 2024
“Things take time”, në COD vjen ekspozita që dëshmon tranzicionin

Në COD u inaugurua mbrëmë ekspozita me vepra të 5 fotografëve të Magnum Photos, një nga organizatat ndërkombëtare fotografike më të njohura në botë.

“Things  time” vjen në COD si një pasqyrë e dy dekadave: fundi i një marrëzie dhe fillimi i një shekulli të ri, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Dialog e Bashkëqeverisje, Eridana Çano.

Çano tha se, momentet kyçe pas ndërrimit të sistemeve, vijnë si një dëshmi e një kronologjie që kemi lënë pas dhe pas do të jetë historia e shkruar e këtij vendi, duke na treguar një Shqipëri të varfër, të rrënuar ekonomikisht, njerëzit që shkuan drejt dyerve të ambasadave, të cilat u hapën atyre portën drejt botës së lirë.

Veprat e kësaj ekspozite janë realizuar në vitet 1991-2010. Pas rënies së komunizmit, fotografëve iu mundësua dokumentimi i lirë dhe i paanshëm i Shqipërisë, pasi më parë vendi ishte në gjendje të izoluar dhe të shkëputur nga bota. Këto vepra janë të një rëndësie të madhe, pasi shërbejnë si dëshmi historike dhe çojnë në një kuptim më të thellë të Shqipërisë së sotme dhe të vendeve të tjera të Ballkanit, historia e të cilave ka qenë gjithmonë e ndërlidhur dhe e ndërvarur.

Ekspozita përbën një përpjekje për të pasqyruar këtë periudhë, një gjendje tranzicioni të dokumentuar nga artistë me prejardhje të ndryshme, ku secili përshkruan vizualisht situatën, nxitur nga përvojat personale dhe origjina e tij, por me një temë të përbashkët.

Në ceremoninë e inaugurimit, në COD ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, artistë të fushave të ndryshme e dashamirës të artit. Prej sot ekspozita do të jetë e hapur edhe për publikun e thjeshtë, deri më datën 17 gusht 2024. atsh/A.K./TemA



Të ndryshme
Më shumë