TV LIVE
Teknologji
16 July 2024
Pajisjet aktuale të rrjetit 5G mund të arrijnë shpejtësinë 6G

Standardi i ardhshëm 6G që do të ofrojë shpejtësi deri në 50 herë më të madhe se rrjetet aktuale 5G, është ende duke u përgatitur dhe mund të jetë një ëndërr e largët për shpërndarje.

Sidoqoftë, kjo kornizë kohore e vendosjes së rrjetit 6G mund të shkurtohet ndjeshëm nga një eksperiment novator që arriti të provojë se pajisjet aktuale të rrjetit 5G dhe madje 4G LTE mund të arrijnë shpejtësinë 6G.

Një ekip kërkimor nga Universiteti i Postës dhe Telekomunikacionit të Pekinit ka demonstruar një metodë të re për të përmirësuar infrastrukturën aktuale 4G dhe 5G në 6G, gjenerata e ardhshme e teknologjisë së komunikimit celular.

Metoda përfshin shtimin e më shumë burimeve për të rritur performancën e rrjetit, gjë që rrit ndjeshëm kompleksitetin dhe kostot e tij, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Zbulimi përdori të ashtuquajturin “komunikim semantik”, një sistem i zgjuar për transmetimin e të dhënave përmes infrastrukturës ekzistuese të rrjetit, dhe rriti në mënyrë drastike efikasitetin e transmetimit dhe uli kostot e përpunimit të të dhënave.

Aq shumë, saqë rrjeti shënoi një rritje 10 herë në metrikat kryesore të transferimit si kapaciteti, mbulimi dhe efikasiteti.

Teknologjia wireless e gjeneratës së gjashtë pritet të revolucionarizojë komunikimin duke ofruar shpejtësi të transmetimit të të dhënave deri në 50 herë më të shpejta se 5G.

Ndërsa SHBA-ja dhe nëntë vende të tjera përshkruan një sërë udhëzimesh për sistemet e komunikimit 6G në fillim të këtij viti, fokusi ishte në ndërtimin e një teknologjie të sigurt komunikimi që i jep përparësi sigurisë kombëtare.

Kina, nga ana tjetër, synon të bëjë 6G të disponueshme komercialisht deri në vitin 2030.

Japonia gjithashtu dëshiron të përfundojë punën për standardin në vitin 2025, më pas të bëjë të disponueshme shërbimet e komunikimit “përtej 5G” në bashkëpunim me operatorë si NTT Docomo dhe kompani si Sony duke filluar nga viti 2030. 



Të ndryshme
Më shumë