TV LIVE
Nga Rajoni
11 July 2024
Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme/ Miratohet deklarata që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit.

 

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, i cili i përket komunitetit boshnjak, lexoi deklaratën që tha se kundërshton mosndëshkimin e kryesve të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të tjera të të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Deklarata thotë se Kosova mbështet kërkimin e paqes së qëndrueshme, drejtësinë dhe pajtimin. Aty po ashtu vlerësohet miratimi i një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që shpall 11 korrikun, Ditë Ndërkombëtare për Përkujtimin e Gjenocidit.

Shabani tha se Kosova solidarizohet me të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrebrenicë, duke theksuar se kujtimi i “Srebrenicës të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, duke folur për gjenocidin në Srebrenicë, theksoi se “është detyra jonë që gjithmonë të kundërshtojmë urrejtjen dhe diskriminimin, të flasim dhe të ngremë zërin kundër një padrejtësie të tillë”.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës mori vendim që të shpallë 11 korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë. Ndërkaq, më 2021 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari në Srebrenicë në 29-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të 14 viktimave të gjenocidit. Viktima më e re që do të varroset ishte 17 vjeç, ndërkaq më e vjetra 68.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm./REL



Të ndryshme
Më shumë