TV LIVE
Nga Bota
6 July 2024
Reformisti Masud Pezeshkian fiton zgjedhjet presidenciale në Iran

Reformisti i moderuar, Masud Pezeshkian, ka fituar zgjedhjet presidenciale në Iran, pasi e mposhti në balotazh të premten ultrakonservatorin Saeed Jalili.

Pezeshkian, ish-kirurg i zemrës, i fitoi 53.7 për qind të votave, derisa Jalili i fitoi 44.3 për qind, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Iranit, Mohsen Eslami.

Dalja në votim për balotazh ishte 49.8 për qind, dukshëm më e lartë se pjesëmarrja e ulët rekorde prej 40 për qind në rundin e parë.

“Ne do t’ua zgjasim të gjithëve dorën e miqësisë. Që të gjithë jemi njerëz të këtij vendi. Duhet ta përdorim secilin për përparimin e vendit tonë”, tha Pezeshkian në fjalimin e tij të parë pas fitores.

Votimi më 5 korrik ishte caktuar të përfundonte në orën 18:00, por u shty tri herë – një herë deri në orën 20:00, pastaj deri në orën 22:00 dhe pastaj deri në mesnatë – sepse autoritetet synonin të nxisnin sa më shumë njerëz të shkonin për të votuar.

Në rundin e parë nuk pati pjesëmarrje të madhe, pavarësisht se lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, kishte bërë thirrje për dalje më të lartë në votim, për ta mbrojtur imazhin e Iranit si një vend i fuqishëm, i cili e gëzon mbështetjen e popullit të vet.

Në këto zgjedhjet, të cilat u thirrën për shkak të vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i helikopterit muajin e kaluar, iranianët duhej të zgjidhnin mes reformistit dhe ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.

Pas vdekjes së 22-vjeçare Mahsa Amini më 2022 në paraburgim për gjoja veshjen e shamisë së kokës në mënyrë jo të duhur, Pezeshkian i vuri në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë.

Pas vdekjes së Aminit, e cila nxiti trazira disamujore në gjithë vendin, Pezeshkian kërkoi sqarim nga autoritetet për rastin e saj.

Pasi votoi gjatë rundin të parë javën e kaluar, Pezeshkian tha: “Ne do ta respektojmë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave”.

Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin.

Megjithatë, ai mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.

Derisa fitorja e Pezeshkianit nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, ajo mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989./REL



Të ndryshme
Më shumë