TV LIVE
Sport
6 July 2024
Dita e ndeshjeve çerekfinale: Sot kompletohet gjysmëfinalja e dytë në Euro 2024

Sot (e shtunë) janë në program për t’u zhvilluar dy ndeshjet e radhës çerekfinale në Euro 2024, për të kompletuar çiftin e dytë të fazës gjysmëfinale.

Pasi dje Spanja dhe Franca caktuan një duel në gjysmëfinale me fitore ndaj Gjermanisë dhe Portugalisë, sot do të zbulojmë se cilat do të jenë dy skuadrat në anën tjetër të shortit.

Anglia dhe Zvicra do të takohen në Dyseldorf nga ora 18:00. Edhe pse kaluan nga  “syri i gjilpërës” në çerekfinale, anglezët janë favoritët në ndeshjen e sotme.

Skuadra e Gareth Southgate nuk po shkëlqen në këtë Euro 2024 dhe të gjithë tifozët e tyre shpresojnë që makineritë më në fund të “funksionojnë” dhe ndeshjet më të mira të Jude Bellingham, Harry Kane, Bukayo Saka dhe Phil Foden të fillojnë të shfaqen në fund të turneun. Në ndeshjen e sotme, Southgate nuk mund të llogarisë në të suspenduarin Marco Guehi.

Zviceranët mposhtën në mënyrë rutinore në fazën e 1/8-të, kampionen aktuale Italinë dhe shumë ekspertë i shohin si një “kalë të errët” të vërtetë të Euro 2024, ndaj nuk ka dyshim se na pret një top ndeshje.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes është italiani Daniele Orsato, i cili do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Ciro Carbone dhe Alessandro Giallatini. Gjyqtari i katërt është gjermani Daniel Siebert, kurse në sallën e VAR-it italiani Massimiliano Irrati.

Gjysmëfinalisten e fundit të Euro 2024 do ta zbulojmë pas duelit në Berlin në orën 21:00 kur takohen Holanda dhe Turqia.

Holanda justifikoi rolin e favoritit në fazën e 1/8-tës kundër Rumanisë dhe shkëlqeu me fitoren 3-0. Holandezët po luajnë në mënyrë tërheqëse, së bashku me Spanjën dhe Gjermaninë ndoshta më të bukurat në kampionat dhe të gjithë ekspertët i shohin tashmë në gjysmëfinale.

 

Punën e tyre ua lehtësoi edhe UEFA-ja, e cila pezulloi me dy ndeshje mbrojtësin turk Merih Demiral, i cili ishte përgjegjës më i madh për eliminimin e Austrisë në fazën e 1/8 me dy gola, por pas golit të dytë festa e tij bëri që ai të dënohet.

Demiral nuk do të komandojë mbrojtjen e Turqisë dhe me të trajneri Vincenzo Montella nuk do të mund të llogarisë në mesfushorët e rëndësishëm Ismail Yuksek dhe Orkun Kokçu për shkak të dy kartonëve, dhe kalimi i Turqisë në gjysmëfinale do të ishte një sensacion vërtet i madh.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes është francezi Clement Turpin, i cili do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Nicolas Danos dhe Benjamin Pages. Gjyqtar i katërt është gjermani Felix Zëayer, kurse në sallën e VAR-it francezi Jerome Brisard.



Të ndryshme
Më shumë