Një në tre demokratë mendon se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duhet t’i japë fund garës së tij për rizgjedhje, pas debatit të javës së kaluar me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, por gati asnjë demokrat tjetër nuk performon më mirë se Biden në një përballje hipotetike me Trumpin, tregon një sondazh i agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë së kërkimeve Ipsos.
Sondazhi dyditor që u mbyll të martën, zbuloi se Trump, 78 vjeç, dhe Biden, 81 vjeç, ruajnë mbështetjen e 40% të votuesve të regjistruar.
Dita e zgjedhjeve është më 5 nëntor.
Ndër emrat e demokratëve kryesorë të vënë para të anketuarve, vetëm Michelle Obama, gruaja e ish-presidentit demokrat, Barack Obama, ia kaloi Bidenit dhe doli në epërsi me 50% mbështetje, kundrejt Trumpit me 39%.
Zëvendëspresidentja Camala Harris, për shembull, mori 42% mbështetje, kundrejt Trumpit me 43%.
Michelle Obama, autore e librit më të shitur në vitin 2018 “Becoming”, ka thënë vazhdimisht se nuk do të garojë për presidente.
Rreth 32% e demokratëve në sondazh kanë thënë se Biden duhet të heqë dorë nga gara për rizgjedhje pas debatit të 27 qershorit.
Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.
Vetë Biden ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin, por ka thënë se rizgjedhja e tij “do ta shkatërronte demokracinë”.
Ai është zotuar se do të mbetet në garë./REL