Fitorja e Torvollit pati jehonë të thellë në Shqipëri dhe në vendet tjera, ajo i dha shtysë luftës antiosmane, përforcoi besimin e popullit për luftën e drejtë, dhe mbrojtjen e lirisë – e mbi të gjitha besimi i popullit nën udhëheqjen dhe fillimin e pushtetit të përqendruar me qëllim përfundimtar krijimin e mbretërisë Arbërore, prirë nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu
Nga Dardan EMINI
Gjendja politike në Arbëri që prej inkursioneve të para osmane e më pas me pushtimin e tërësishëm, karakterizohet nga kryengritje të vazhdueshme të elitës drejtuese Topiajve, Arianiteve në vitet 30 dhe vijon në vitet 40 nga Kastriotët. Kthesa vendimtare në kryengritjen çlirimtare të shekullit XV shënohet në datën e 2 marsit 1444 me krijimin e Besëlidhjes Shqiptare në Lezhë, si rrjedhojë u hap rruga e zhvillimit të procesit të bashkimit politik, shpirtëror e monetar të të gjitha krahinave shqiptare.
Pozita gjeografike e principatës së Kastriotëve nëpër të cilën kalonin pjesa më e madhe e rrugëve që lidhte krahinat e Arbërisë, lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me familjet fisnike si Muzakajt, Arianitët, Balshajt dhe mbi të gjitha – personaliteti dhe vetë karriera e Gjergj Kastriotit kuadër me vite i radhëve ushtarake osmane, e nxorën në krye të jetës politike e ushtarake të vendit.
Nga Kuvendi i Lezhës me vendimet për krijimin e ushtrisë së përbashkët dhe në krye te saj komandant të përgjithshëm të zotërve te Shqipërisë Gjergj Kastriotin, hapet shtegu i kryengritjes çlirimtare të shekullit XV. Marrja në duart e ushtrisë së Besëlidhjes qytetin e Sfetigradit (Koxhaxhikut) hapi udhë ekspeditës ndëshkuese të osmanëve, e cila vijoji me betejën e parë të forcave të Besëlidhjes së Lezhës, kundër pushtuesve osmanë.
Me fjalor dhe përshkrime idilike po si bashkëkohësit e Renesancës Evropiane jetëshkruesi i veprës së Skënderbeut, Marin Barleti shënon fjalët e Skënderbeut drejtuar ushtarëve para fillimit të betejës: “Do të dëshiroja o ushtarë, që ju të më kishit kapedanin tuaj dhe që unë ta gëzoja këtë pamje kaq të shkëlqyer të besnikërisë suaj në ditë më fatbardha për punët e mia dhe në një kohë më të lume për mbretërinë time…. me të vërtetë çfarë s’do të duroja unë për të parë tani gjithë këtë zjarr tuaj për ta patur më në fund përpara syve sot gjithë lulen e Epirit e cila kërkon vetëm armë që ti rrëmbejë për mua… ata kërkojnë vetën plaçkë vërsulen kundër nesh vetëm nga lakmia për të sunduar, por ju që të mos jeni plaçkë në duar të tyre kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin kurrë s duhet kujtuar se është derdhur tepër gjak sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër”.
Kronisti Giammaria Biemmi në veprën “Istoria di Giorgo Castrioto Scandrebeg-Begh” botuar në vitin 1742 në Bresha të Italisë jep datën e 29 qershorit “e accadè ai 29 Giugno” Betejës së Troviollit, ndeshjes se parë të forcave te Besëlidhjes së Lezhës dhe ngadhënjimin mbi turqit në këtë betejë.
FAN NOLI NË VEPRËN KUSHTUAR SKËNDERBEUT
“Historia e Skënderbeut Kryezotit të Arbërisë 1405-1468″ botuar ne Boston në vitin 1950, mes tjerash shkruan” Sulltan Muradi II për të thyer kryengritjen shqiptare dërgoj Ali Pashën më të zotin e gjeneralëve të tij me një ushtri prej 25000, kjo ushtri hyri nga ana e Kosovës dhe zbriti në Dibrën e Poshtme”.
Beteja e Torviollit shënjonte fatin e mëtejmë të Kryengritjes çlirimtare te shekullit XV si rrjedhojë ushtria e Besëlidhjes me Skënderbeun udhëheqës, i cili ndau ushtrinë në disa pjesë e komanduar nga Tanush Topia, Moisi Golemi, Aidin Muzaka, Vrana Konti, tërhoqën në fushën e Torviollit ushtrinë osmane dhe shpartalluan në befasi, e cila sipas Biemmit la në betejë 7 mijë të vrarë dhe 500 robër, Barleti shkruan për 22 mijë turq të vrarë, kurse Noli jep numrin “8000 të vrarë 2000 robër 24 flamurë”.
“Kështu i krishteri atë ditë siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë korri një fitore me të vërtet të madhe sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë mundësi jo vetëm ta ndjellin fatin për të dalë faqebradhë por edhe ta detyrojnë për një gjë të tillë, nuk mungoi as koha as vendi as rregulli i përsosur në të gjitha veprimet me në fund për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: “atë ditë luanët kanë komanduar luanë”. Janë shënimet e Barletit për fitoren e madhe të Skënderbeut, të parën në vargun e betejave afër çerek shekulli kundër Perandorisë Osmane.
Noli shënon për një varg emrash që nderuan armët, Arbërinë, dhe çështjen e ekzistencës së pavarur të arbërve e ngritën në kult: Muzhaqi i Angjelinës, Pjetër Emanueli, Gjon Muzhaqi, Zaharia Gropa, Andon Misiaçi, Frano Koleti, Vëllezërit Marin dhe Frano Spani, Pal Maneshi, Nikoll Vasiçi, Luka Sani, Andrea Përllati, dhe Lazar Shqahu.
LOKALIZIMI I VENDIT TË BETEJËS
Lokalizimi i vendit të betejës së Torviollit shfaq mendime të ndryshme të kronistëve dhe historianëve. Barleti përmend shkurt: “Skënderbeu zuri vend në Dibrën e Poshtme 80 mijë hapa larg Krujës”, ndërsa Kristo Frashëri në veprën “Skënderbeu Jeta dhe Vepra” botuar në Tiranë në vitin 2002, e lokalizon në fushën e Shubmatit në veri të Peshkopisë,” ky emër ka një shpjegim – ai ngjet shumë me fjalën Tevioll, e cila sipas pleqve dibranë, do të thotë ‘tokë pa zot’, ‘pronë e askujt’… si duket një karakter të tillë ka pasur terreni ku u zhvillua Beteja e qershorit të 1444 duke e quajtur fillimisht ‘Beteja e Teviollit’ dhe pastaj në trajtën e deformuar ‘Beteja e Torviollit’”.
“Prova e parë u bë dhe vajti mbarë Kryengritja patriotike u shigurua me viktorjen e Torviollit, ambasada të ndryshme të kurorzuara me dafine, me flamure, dhe dhurata u dërguan në kapedanët aliatë dhe në gjithë hoborret e Evropës, qarku diplomatik i Perëndimit u shtua me një hoborr të ri, me hoborrin e Krujës i cili tani nëmërohej me ato të Romës, Venetisë, Napolit, Budapestit, edhe Burgonjës së Frances” shkruan Noli për rrjedhen e Betejës së Torvollit.
Fitorja e Torvollit pati jehonë të thellë në Shqipëri dhe në vendet tjera, ajo i dha shtysë luftës antiosmane, përforcoi besimin e popullit për luftën e drejtë, dhe mbrojtjen e lirisë – e mbi të gjitha besimi i popullit nën udhëheqjen dhe fillimin e pushtetit të përqendruar me qëllim përfundimtar krijimin e mbretërisë Arbërore, prirë nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu kur edhe fillon me rrjedhën që pati kjo betejë 580 vite më parë.
Në rrafshin ndërkombëtarë fitorja e Skënderbeut në Betejën e Torviollit e vendosi në anën e forcave antiosmane duke zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve politike të larta te kohës si papa Nikolla V, mbreti Alfonsi i V i Napolit.