Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është kundërpërgjigjur ndaj kritikave për moshën, duke u thënë mbështetësve se do të fitojë zgjedhjet në nëntor pas një performance të dobët në debatin presidencial që nxiti shqetësime për kandidaturën e tij, shkruan BBC të shtunën.
“E di që nuk jam djalë i ri, po e them të dukshmen”, ka thënë Biden në një tubin në Karolinën e Veriut, një ditë pasi hasi në vështirësi në përballjen televizive me rivalin republikan Donald Trump.
“Nuk eci aq lehtë si dikur, nuk debatoj aq mirë si dikur. Por e di atë që di, di të them të vërtetën dhe di si ta bëj këtë punë”, ka deklaruar presidenti amerikan.
81-vjeçari ka thënë se beson me “zemër dhe shpirt” se mund të shërbejë edhe për një mandat, ndërsa turma brohoriste “katër vjet të tjera”.
Ndërkohë, Trumpi mbajti tubim në Virginia vetëm disa orë më vonë, duke përshëndetur “fitoren e madhe” në debat, të cilin CNN-ja ka thënë se e kanë shikuar 48 milionë njerëz në televizion dhe miliona të tjerë në internet.
“Problemi i Joe Bidenit nuk është mosha. Është kompetenca e tij. Është jashtëzakonisht i paaftë”, ka thënë 78-vjeçari Trump.
Ish-presidenti ka thënë se nuk i besonte spekulimet se Bideni do të tërhiqet nga gara, duke thënë se “del më mirë në sondazhe” se demokratët e tjerë, duke përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris.