TV LIVE
Kuriozitete
28 June 2024
"Që prej motmoti", sot hapja e ekspozitës së Motrave Paja në Shqipëri

Cilat janë interpretimet vizuale që i bëhen ritualeve, miteve dhe figurave mitologjike? Si përthyhen marrëdhëniet e njeriut me natyrën, krijimtarinë dhe imagjinatën te Trivet? Si shkruhet vizualisht ajo çka për të cilën ka më së shumti rezistencë dhe droje për t’u sjellë në gjuhë, bisedë dhe të folur? Si manifestohet shpresa, bereqeti, zanat, mrizet, vendet e mira në pikturat e Trivet? Cili është sfondi interpretues që i jep Kamza kësaj pune artistike, si hapësira që pret çeljen e saj? Si flet kjo ekspozitë me një qytet, i cili, përkundër asaj çka mund të projektohet nga një ligjërim dominant, ka mbartur, krijuar dhe rikrijuar ritualet e veta urbane dhe rreth të cilave rregullon dhe orientohet në një hapësirë e kohë tjetër, mbase më pak idilike?
Për kundrim e bisedë ju rikujtojmë që këtë të premte, datë 28 qershor, ora 19.00 çelet ekspozita “Që prej motmoti” nga Trivet, ose, siç njihen gjerësisht ndër komunitete, nga Motrat Paja (Natasha Paja, Elsa Paja dhe Fatma Paja). Ekspozita mbahet në hapësirën ekspozuese të grupit Ata. Ajo do të përmbajë punime artistike të përftuara prej një hulumtimi paraprak të shtrirë në kohë e në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ekspozitë fillimisht i është hapur qytetit të Besjanës në Kosovë. Për Trivet është e rëndësishme që ta vazhdojnë komunikimin e tyre artistik në hapësira, vende dhe me komunitete të cilat nuk janë të pozicionuara gjeografikisht në qendër.
Kjo ekspozitë do të mbahet hapur deri me datë 14 korrik. Oraret e vizitave do të njoftohen në ditët në vazhdim. Adresa e mbajtjes së këtij takimi: stacioni i trekatësheve, rruga Valeta (Kamëz).

Ekspozita dhe frame nga Trivet Paja, teksti kuratorial që do të konsultohet gjatë ekspozitës është me autorësi të Blerina Kanxha.
Një pjesë e hulumtimit dhe punës që paraqitet në këtë ekspozitë është kryer gjatë rezidencës një mujore pranë Qendrës Multimedia mes projektit READ në Prishtinë. A.K./TemA



Të ndryshme
Më shumë