Në Shqipëri shënohet këtë qershor 80-vjetori i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ndërkohë me ligj 27 qershori është shpallur në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë", raporton Anadolu.
Në Tiranë është organizuar nga Fondacioni ALSAR konferenca shkencore me temë "80 vjet nga gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë", me pjesëmarrjen e studiuesve të ndryshëm, duke u trajtuar temat në lidhje me çështjen çame.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën e tij në hapje të konferencës u shpreh se konferenca organizohet për të përkujtuar një tragjedi njerëzore dhe një dramë me fund të dhimbshëm.
Ai theksoi se konferenca shërben si një thirrje për të lëvizur vendit, për të mos e lënë çështjen çame të dergjet dhe sipas tij për të dhënë shpresë se një ditë e drejta do të triumfojë.
"Tetëdhjetë vite më parë, në botën e zhytur në një luftë të përgjakshme, një popullsi e tërë do ta paguante me jetë, me dëbim e prona të humbura çmimin e të qenit shqiptarë dhe veçanërisht muslimanë. Shovinistët grekë në kufirin tonë jugor, të vendosur ta përfundonin njëherë e mirë një përndjekje të gjatë, vranë e prenë çamët tanë, bastisën e nxorën nga shtëpitë pleq e fëmijë, i poshtëruan dhe i dëbuan me mizori ekstreme", u shpreh Gurra.
Gurra theksoi se më shumë se tridhjetë vite pas ndërrimit të sistemit qeverisës në Shqipëri, çështja çame mbetet një temë delikate në marrëdhëniet shtetërore me Greqinë. "Artikulimi i qartë dhe i plotë i çështjes dhe kërkimi i të drejtave të mohuara të çamëve ka munguar në tërësi. Diplomacia edhe kur ka patur guximin ta parashtrojë atë, e ka bërë më tepër me gjysmë zëri, jo e vendosur për t’i shkuar çështjes deri në fund", tha Gurra.
Gjatë konferencës, studiues të ndryshëm trajtuan disa tema në lidhje me çështjen çame, ndërkohë u shfaq një film dokumentar dhe u ekspozuan fotografi dhe dokumente të ndryshme rreth çështjes çame.
Ndërkohë, në hapje të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë
- Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".