TV LIVE
Sport
25 June 2024
Akuzat e Daliç: Si mund të japësh 8 minuta shtesë? Kam folur për mënyrën sesi sillen UEFA dhe FIFA, por askush s’më ka dëgjuar…

Kroacisë iu “rrëmbye” fitorja në 20 sekondat e fundit të ndeshjes kundër Italisë. Zakanji i ndëshkoi kroatët duke i hequr mundësinë për ta mbyllur në vendin e dytë në Grupin B. Pas sfidës trajneri Zlatko Daliç shpërtheu nga zemërimi dhe u ankua për faktin se arbitri holandez Dani Makelie sinjalizoi 8 minuta shtesë dhe kështu lejoi Italinë të barazonte në momentin e fundit.“Ne jemi të vegjël, një Federatë e vogël, por nuk mund të jepen tetë minuta kohë shtesë. Kjo sigurisht ndikoi në rezultat. Nuk e di nga i mori arbitri ato tetë minuta. Prej pesë vitesh kam folur për mënyrën sesi sillen UEFA dhe FIFA, por askush nuk më ka dëgjuar. Dhe kështu dukesha qesharak. Nuk mund të ketë tetë minuta kohë shtesë. Sa gabime dhe ndërprerje kishte për të plotësuar tetë minutat?”

Trajneri kroat ka preferuar të mos flasë më shumë për arbitrin: “Nuk do të jetë justifikim. Kundër Shqipërisë kishim gjithçka në dorë dhe tani kishim dy penallti dhe i humbëm. Por më vjen keq dhe më dhemb që askush nuk na respekton. Ky nuk ishte turneu ynë. Tifozët u shfaqën përsëri, njëqind mijë kroatë erdhën në Gjermani. Faleminderit për ata. Ne jemi krenarë. Por arsyeja pse nuk kemi shkuar më tej është tek ne. Nuk mund të pësosh gol në minutën e 98-të, duhet ta mbash topin nëse është e nevojshme”.

I pyetur për zëvendësimin e Modriç në momentet e fundit, Daliç deklaroi: “Unë thjesht doja të fusja dikë më të freskët sepse Luka kishte dhënë vërtet gjithçka. Ky rezultat dhemb shumë dhe do të dhemb sërish në ditët në vijim, në muajt në vijim. Ndonjëherë fitojmë e herë humbim. Ne ishim në gjendje të festonim fitoren dhe tani duhet të dimë se si ta pranojmë humbjen”, përfundoi trajneri i Kroacisë.



Të ndryshme
Më shumë