Ka vdekur mëngjesin e sotëm në moshën 76-vjeçare poeti dhe tekstshkruesi i këngëve, Agim Doçi.
Për vdekjen e tij ka shkruar këngëtarja Myfarete Laze, e cila u ka shprehur ngushëllime familjarëve, raportoi “Euronews Albania”.
Doçi është autor i shumë teksteve të këngëve, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovision.
Ai ka shkruar tekstin e këngës 'Dua të jem kujtimi yt', të Anjeza Shahinit, e cila fitoi festivalin e 41-të të RTSH-së dhe u rendit e shtata në Eurovision.
Doçi ka shkruar tekstet e mbi 100 këngëve për luftën e Kosovës.
Ai ka shkruar edhe tekstin e “Marshit të UÇK-së” të cilën e këndon Arif Vladi dhe atë të këngës “A vritet pafajësia” të cilën e këndon Leonora Jakupi.
Doçi shkollimin fillor dhe gjimnazin e ka përfunduar në Shkodër.
Ndërkohë studimet e larta i ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.