TV LIVE
Nga Rajoni
20 June 2024
Minatorët në grevë, arsyeja mosrealizimi i pagës së plotë

Minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë, kjo për shkak se nuk u janë dhënë ende pagat e plota.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” Destan Kërleshi, i cili ka thënë se prej gjashtë ditësh minatorët nuk kanë shkuar në punë.

Pagat që kanë qenë të parapara të dalin më datë 10 qershor, janë ekzektuar më datë 14 qershor, mirëpo siç bën të ditur Kërleshi vetëm 68%.

“Po e vërtetë është, menduam se po e bëjmë një marrëveshje me kryeshefin, por ai nuk premtoi se do të bëhet ndonjë zgjidhje. Javën e kalume të premten ka dalë 68% e pagës, ndërsa pjesa tjetër nuk ka dalë ende. Prej të premtes ndërrimi i dytë në njësinë e Stantërgut komplet Trepçën nuk është t`u u punu, janë në grevë. E premtja, ndërrimi i parë ka punu, ndrrimi i dytë s’ka punu. E gjashta ditë që s’punojmë. I është premtu që do t’iu del para bajramit, nuk iu ka dalë paga e plotë dhe punëtorët kanë hy ne grevë”- ka thënë Kërleshi.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, KALLXO.com ka raportuar në muajt paraprak për vonesat në paga.

Më 16.05.2024 Kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti ka pranuar se rrogat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve.

“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 ton xehe, janë ba 6,000 ton xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef”- pati thënë ai.

Por “arsyetimin” e kryeshefit se është dashur të bëhen 20,000 tonë xehe, por janë bërë 6,000 tonë xehe e ka kundërshtuar drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.

“Për muajin prill janë kanë të planifikume 12,996 tonë jo 20,000 tonë   Janë përpunuar 6,000 e diçka tonë, po qajo xehe ka vazhduar me u përpunur edhe në muajin maj, që janë përpunu edhe gati 2,000 tonë pra janë 8000 e diçka tonë të përpunuara. Prej tyre janë fitu diku rreth 250 tonë koncentrat të zinkut edhe 200 janë koncentat të plumbit”- ka thënë drejtori i Minierës.

Ndërsa më 31 maj 2024, minatorët thonin se kjo gjë nuk mund të realizohet kjo gjë për shkak të mungesës së kushteve elementare që ka kjo ndërmarrje.

“Jo nuk ka shancë me i mbulu 20 mijë tonë me këto mjete, ne jemi duke e bërë të pamundshmen të mundshme”- ka thënë Sadik Aliu.

 



Të ndryshme
Më shumë