TV LIVE
Kuriozitete
20 June 2024
VIJOJNË NDËRHYRJET RESTAURUESE NË HANIN DHE NALLBANIN E FAMILJES KOVAÇ

Ndërtesa e familjes Kovaç që gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ky aset i trashëgimisë kulturore po shpëtohet nga rrënimi.

“Hani dhe Nallbani i familjes Kovaç që gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, po shpëtohet nga rrënimi. Ndërhyrjet restauruese po vazhdojnë. Ky aset që i takon shek. XIX-të ka vlera historike, si dëshmi e trashëgimisë arkitektonike dhe zejtare, po ashtu edhe vlera edukative e shoqërore”, ka bërë të ditur Çeku.

Ky aset ka qenë në gjendje të palakmueshme shkaku i mos mirëmbajtjes adekuate, raporton Telegrafi.

Në vitin 2022 janë realizuar ndërhyrjet emergjente me mbështetje financiare nga MKRS-ja. Asokohe është dashur edhe asistimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Inspektoratit të Komunës së Prizrenit për fillimin e punimeve për konsolidimin e kësaj ndërtese.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren pati bërë të ditur se ndërtesa e familjes Kovaç gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e parë, ku sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit emërtohet si “Zona Tradicionale e Dyqaneve”. “Ndërtesa e Hanit dhe Nallbanit të familjes Kovaç në vete posedon vlera historike si dëshmi e trashëgimisë arkitektonike dhe zejtare, ku njëkohësisht në vete ngërthen edhe vlera edukative, shoqërore dhe ekonomike për qytetin e lashtë të Prizrenit”, thuhej në njoftimin e QRTK-së.

Punimet restauruese të financuara nga MKRS-ja janë duke vazhduar në disa asete të trashëgimisë kulturore në Prizren.



Të ndryshme
Më shumë