TV LIVE
Nga Rajoni
19 June 2024
Borrelli rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës si sinjal politik për avancimin e dialogut

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë sot në Komitetin Politik dhe të Sigurisë (PSC) për heqjen e masave ndaj Kosovës, në bazë të raportit që ua ka dërguar dje përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

 

KOHA mëson se Borrell në raportin e tij i ka përshkruar hapat që ka ndërmarrë Kosova, duke i krahasuar me kërkesat specifike të BE-së nga qershori i vitit 2023, dhe në fund ka rekomanduar që Këshilli të marrë qëndrimin për heqjen e masave.

“Duke i konsideruar hapat e Kosovës në drejtim të përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë rekomandon që Këshilli të marrë qëndrimin për heqjen e masave ndaj Kosovën, duke respektuar ndërkohë prerogativat institucionale. Vendimi i  Këshillit do të ishte një sinjal politik që kontribuon në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Beograd- Prishtinë, i lehtësuar nga BE-ja mund të avancojë. Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë deeskaluese dhe të evitojë veprimet e pakoordinuara“, thuhet në raportin e Borrellit.

Rreth heqjes së masave ndaj Kosovës ka pasur qëndrime të ndryshme në qarqet e BE-së dhe nga vendet anëtare. Përderisa ato ishin vendosur me një shpejtësi të madhe, brenda vetëm disa ditësh që kur ishin përmendur dhe kanë zgjatur një vit, heqja e tyre është duke o vonuar. Vetëm për raportin e Borrellit janë humbur dy muaj, prej kur nga ai shtetet anëtare kishin kërkuar që të dorëzojë raportin.
Edhe tash ka paqartësi rreth rrugës që duhet të ndiqet për heqjen e masave, pasi për to nuk kishte pasur vendim formal të Këshillit, por vetëm mbështetje politike të cilat Borrell dhe Komisioni Evropian i kishin shfrytëzuar për të vendosur masa ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike, pritet që vendet anëtare të shprehin mbështetje për heqjen e  masave, e pastaj Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të Jashtëm mund ta njoftojnë Kosovën për heqjen e tyre.

Edhe pse ishte thënë se masat nuk kanë të bëjnë me dialogun, por vetëm me veprimet rreth vendosjes së kryetarëve të komunave në veri, në rekomandimin e tij Borrell përmend edhe “balancimin” që do të ishte i nevojshëm për avancimin e dialogut. BE-ja ka qenë e kritikuar edhe nga disa vende anëtare edhe nga Parlamenti Evropian për qasje jo të balancuar, sepse vetëm ndaj Kosovës kishte sanksione e jo edhe ndaj Serbisë. 



Të ndryshme
Më shumë