Arkeologët shqiptarë dhe polakë kanë zbuluar gjurmë dhe të dhëna të reja për një qytet ilir në Bushat të Shkodrës. Gërmimet janë udhëhequr nga Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, Helidon Sokoli.
Sipas njoftimit, pas gërmimeve të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit që rezultuan me të dhëna për shtrirjen e qytetit, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti. “Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shekullit 4 p.e.s, sipas datimeve paraprake”, thuhet në njoftim.
Aktiviteti në terren ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.
“Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vjet, në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti. Falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen ‘Zonë e mbrojtur arkeologjike’ A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e DRTK-së së Shkodrës.
Misioni shqiptaro-polak, i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij.