Nvidia është bërë kompania më e vlefshme në botë pasi vlera e aksioneve të saj u rrit në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave të martën, shkruan BBC.
Aksionet e Nvidia e mbyllën ditën e tregtimit me afro 136 dollarë, duke u rritur 3.5 për qind dhe duke u bërë më e vlefshme se Microsofti. Nvidia e kaloi Applein në fillim të këtij muaji.
Kompania amerikane Nvidia prodhon çipa kompjuterikë të nevojshëm për softuerin e inteligjencës artificiale (AI) dhe kërkesa për produktet e saj ka rritur shitjet dhe fitimet gjatë viteve të fundit.
Shumë investitorë besojnë se fitimet e Nvidias mund të rriten edhe më shumë, gjë që ka bërë që vlera e aksioneve të rritet, megjithëse disa e kanë vënë në pikëpyetje vlerësimin e lartë.
Kompania tani ka vlerë 3.34 trilionë dollarë, me çmimin që pothuajse është dyfishuar që nga fillimi i këtij viti.
Në vitin 2020, Nvidia kishte vlerë 100 miliardë dollarë.
Konkurrenca midis zhvilluesve të inteligjencës artificiale (AI) është e ashpër. Microsoft, Alphabet, Meta dhe Apple janë vetëm disa nga “peshat e rënda” të teknologjisë që luftojnë për të krijuar produktin më të mirë.
Nga kjo konkurrencë përfiton Nvidia, e cila dominon shumicën dërrmuese të tregut të çipave AI.
Si e tillë, investitorët besojnë se kompania do të vazhdojë të rritet në vlerë. Shifrat e shitjeve dhe fitimit të Nvidias kanë tejkaluar shumë pritje të analistëve në vitet e fundit