TV LIVE
Sport
17 June 2024
Nga drama në fushë me arrestin kardiak te goli në ‘Euro 2024’; trajektorja e pabesueshme e Eriksen

Tri vite pas arrestit kardiak në fushën e lojës, në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës për “Euro 2020” (zhvilluar më 2021 prej pandemisë së Covid-19), Christian Eriksen shkruan përrallën e tij shumë personale. Arresti kardiak që mbajti në ankth gjithë botën e futbollit ka qenë prej kohësh vetëm një kujtim i keq.

Tashmë kampioni danez, në jetën e tij të dytë futbollistike, e ka mbyllur përfundimisht ciklin me atë të kaluar të dhimbshme, duke shënuar golin në minutën e 17-të, që zhbllokoi ndeshjen kundër Sllovenisë në “Euro 2024”.

Ishte 12 qershor 2021, minuta e 42-të e derbit skandinav në Kopenhagë, kundër Finlandës: Eriksen u rrëzua befas në tokë, i vetëm, pa lëvizur, me kokën e kthyer. Një skenë tronditëse që tmerroi lojtarët e të dyja kombëtareve në fushë, i la të përlotur spektatorët në tribuna, komentuesit nga e gjithë bota mbetën të shokuar.

Mjeku i bëri masazh kardiak, por pa rezultat. Minutat shkuan deri në pesë, pa shenja jete të danezit. Përdoret me urgjencë edhe defibrilatori. Lojtarët danezë në lot mbrojnë me trup shokun e tyre të skuadrës, që të mos kapet nag kamerat në atë gjendje të pashpresë.

Më pas nxitimi për në spitalin e kryeqytetit danez, ku lojtari i atëhershëm i Interit iu nënshtrua trajtimit fillestar për të stabilizuar gjendjen dhe prej nga erdhën lajmet më ngushëlluese: Eriksen është qetësuar dhe gjendja e tij po përmirësohet.

Futbollistit danez iu implantua një defibrilator, i cili mundëson monitorimin e çdo “rrjedhjeje” të zemrës. “Kjo pajisje është e nevojshme pas një ataku në zemër të shkaktuar nga aritmia”, – thuhej në shënimin zyrtar.

Karriera e tij tek Interi kishte përfunduar, sepse në Itali nuk lejohet të luajë futboll askush me defibrilator në trup. Pas një rehabilitimi të gjatë, më 31 janar 2022 u transferua në Brentford, ku përfundoi sezonin, para se të kalonte te klubi i tij aktual, Manchester United.

Cikli i gjatë do të mbyllej dje në Shtutgart, në minutën e 17-të, pas 1100 ditësh, me golin e shënuar. Më pas festa, jo vetëm e tij, por e të gjithë atyre që e duan këtë sport.

 Çfarë udhëtimi ka qenë për Christian Eriksen, që kur pësoi arrest kardiak në fushën e lojës. gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë, në "Euro 2021":

▫️ Dhjetor 2021: Nuk u lejua të luante në Serie A për shkak të defibrilatorit të tij të implantuar dhe iu prish kontrata nga Interi

▫️ Janar 2022: U trajnua me rezervat e Ajax për të rregulluar fitnesin

▫️ Janar 2022: Nënshkroi me Brentford në huazim 6-mujor

▫️ Mars 2022: U kthye në futbollin ndërkombëtar dhe shënoi për vetëm dy minuta lojë

▫️ Korrik 2022: U bashkua me Manchester United për një marrëveshje 3-vjeçare

▫️ Shkurt 2023: Fitoi "Carabao Cup" me Manchester United

▫️ Maj 2024: Fitoi "FA Cup" me Manchester United

▫️ Qershor 2024: Shënoi golin e parë të Danimarkës në "Euro 2024"

Kjo është mrekullia e vërtetë e futbollit



Të ndryshme
Më shumë