TV LIVE
Nga Rajoni
15 June 2024
Samiti i Paqes për Ukrainën, Osmani në Zvicër: Kosova shembull, si një shtet që ka vuajtur nga lufta në model të demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd, ndodhet në Zvicër, ku po përfaqëson Republikën e Kosovës në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainë.

Në një video-incizim nga atje, e para e shtetit të Kosovës tha në Samitin në Zvicër do të diskutohet për arritjen e paqes në kontinentin evropian.

“Siç e dimë nga përvoja e hidhur në Kosovë nuk mjafton thjesht që paqen ta shohim si koncept të izoluar, sepse në masë të madhe varet nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata të cilët kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës…

Si Kosovë, ne i bashkohemi thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë para konceptin e paqes së drejtë, paqes së ndërlidhur me drejtësinë për viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës…”, tha ajo.

Presidentja e vendit u shpreh tutje se Kosova është në një pozicion në krahasim me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në samit që të ndajnë storien, tregimin se si një shtet është ndërtuar nga zeroja, si një shtet që ka vuajtur shumë e ka sakrifikuar shumë.

Osmani tha se Kosova me gjithë luftën, vuajtjet e sakrificën është shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme.

“Siç e thotë edhe presidenti Biden ‘në kohë të rënda është më e rëndësishme për çfarë qëndron dhe kush qëndron me ty”, tha ajo, raporton Telegrafi.

E para e shtetit tha tutje se njësoj siç ka qenë aleancat e domosdoshme që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj e rëndësishme është tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropës nëpërmjet agresionit rus që të qëndrojnë së bashku si aleatë që besojmë në vlera, t’i mbrojnë parimet që janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.

Siç njofton Telegrafi, presidentja e Republikës së Kosovës tutje bëri të ditur se gjatë takimit që ka pasur me presidenten zvicerane kanë diskutuar për sukseset e mërgatës sonë atje, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes etj.

Tutje, Osmani njoftoi se tri dimensionet kryesore gjatë Samitit të Paqes për Ukrainën do të jetë siguria nukleare, ajo ushqimore dhe dimensioni human.

Ajo tha se Kosova do të kontribuojë më së shumti me përvojën se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme pas një lufte shkatërrimtare. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë