TV LIVE
Teknologji
15 June 2024
Haxhi 2024: Arabia Saudite kryen testin e parë për “taksi ajrore pa pilot” për t’u shërbyer pelegrinëve

Arabia Saudite, të mërkurën, kreu testin e saj të parë për “taksi ajrore pa pilot” në Mekë, me qëllim që t’u shërbejë pelegrinëve të Haxhit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mjeti ajror elektrik EH216-S eVTOL u ngrit në një provë autonome ku morën pjesë ministri i Transportit dhe Shërbimeve Logjistike të Mbretërisë, Saleh al-Jasser dhe presidenti i Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil (GACA), Abdulaziz al-Duailej.

“Prova u krye për t’u siguruar që taksia ajrore mund të ofrojë shërbime gjatë sezonit të Haxhit”, ka thënë al-Jasser për Al Arabiya, duke folur nga brenda mjetit ajror.

“Pa pilot dhe i kontrolluar nga toka, ky aeroplan përshtatet në dy persona dhe mund të fluturojë pa karburant për një distancë deri në 40 kilometra, i fuqizuar vetëm nga energjia elektrike, në përputhje të plotë me të gjitha parametrat e sigurisë”, shtoi ai.

 

Al-Jasser tha se do të kryhen prova dhe eksperimente të plota për të zhvilluar këtë shërbim, në mënyrë që të mund të fluturojë në një distancë më të gjatë me një shpejtësi të shtuar.

Shërbimi i taksisë ajrore synon të transportojë pelegrinët midis vendeve të shenjta, të lehtësojë udhëtimin urgjent, të transportojë pajisje mjekësore dhe të ofrojë shërbime logjistike për transportin e mallrave, sipas një deklarate nga Autoriteti i Përgjithshëm i Transportit, të lëshuar nga Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).

Është “taksia e parë ajrore në botë që është licencuar nga një autoritet i aviacionit civil”, shtohet në deklaratë.

Ndryshe, mbi 1.5 milionë pelegrinë kanë mbërritur deri më tani në Arabinë Saudite për sezonin e haxhit të këtij viti, kanë njoftuar autoritetet e Mbretërisë në fillim të kësaj jave.

Haxhi është pelegrinazhi vjetor islam në Mekë në Arabinë Saudite dhe është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe duhet të kryhet të paktën një herë nga të gjithë myslimanët që janë të aftë për ta bërë këtë.

Haxhi i këtij viti fillon të premten, më 14 qershor. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë