TV LIVE
Nga Rajoni
14 June 2024
Paqartësi për heqjen ose jo të masave ndaj Kosovës, heshtje në BE

Edhe pse nuk pa pasur një datë formale, këtë këtë javë ishte pritur që të publikohej raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, rreth përmbushjes së kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.

Madje zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se në raportin e shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së, “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.

Por heshtje për këtë çështje ka pasur në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Siç raportoi dje Radio Evropa e Lirë, raporti i Borrellit për masat ndaj Kosovës mund të shtyhet për javën e ardhshme.

Sipas këtij raportimi, paraqitja e këtij raporti tash pritet të jetë më 19 qershor në takimin e Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së (PSC). Por, edhe kjo është vetëm “tentativë” pasi nuk mund të ketë garanci se kjo do të ndodhë.

Krerët e shtetit kanë kërkuar në vazhdimësi muajin e fundit heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Kosova kërkoi zëshëm heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Nga BE-ja kishin deklaruar se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit). /Reporteri.net/



Të ndryshme
Më shumë