TV LIVE
Nga Rajoni
8 June 2024
75-vjetori i Arkivit Qendror Shtetëror, Begaj: Një institucion që jo vetëm ruan, por edhe frymëzon e promovon

Arkivi Qendror Shtetëror festoi dje 75-vjetorin e krijimit, ku u prezantuan proceset e punës së përditshme në arkiv.

Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, arkivistë dhe studiues të fushës, etj.

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë që ka ky institucion për ndërgjegjen kombëtare dhe kujtesën kolektive, ndërsa arkivistët i cilësoi si rojtarë të historisë.

Begaj e konsideroi po aq historik edhe aktin e themelimit të Arkivës Shtetërore, duke theksuar vlerën e dokumenteve dhe materialeve të rralla, si dëshmitarë të lidhjes me lashtësinë dhe me traditën e vendeve të tjera evropiane.

Sipas Presidentit të Republikës, promovimi dhe aksesi në thesaret e Arkivit Shtetëror është me rëndësi për të njohur në mënyrë objektive të kaluarën tonë.

“Studimi i tyre nga ekspertët dhe historianët na ndihmon të kuptojmë rrënjët tona, të vlerësojmë përpjekjet e brezave të mëparshëm dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë mbi këtë bazë të fortë”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit përgëzoi arkivistët shqiptarë që me përkushtimin dhe dedikimin e tyre, kanë bërë të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e fondit, ndërsa theksoi se paralel më këtë angazhim, një rëndësi themelore ka shërbimi publik, që garanton një të drejtë themelore të njeriut: ruajtjen e dokumentacionit të jetës e të pronës.

“Arkivat duhet të jenë të hapura, publike dhe transparente, natyrisht brenda hapësirës që lejon legjislacioni dhe etika. I kemi ende të freskëta në kujtesën tonë dëmet e pallogaritshme që pëson individi e shoqëria kur arkivat mbulohen nga fshehtësia apo aksesi i privilegjuar. Arkivi Qendror Shtetëror duhet të jetë një institucion që jo vetëm grumbullon e ruan, por edhe frymëzon e promovon diversitetin, aksesueshmërinë dhe transparencën për publikun”, u shpreh Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla në fjalën e saj tha se “Arkivi i Shtetit është një institucion që dokumenton, shërben, ofron, sugjeron, bind e frymëzon. Në Arkiv gjejmë historinë me të gjitha kulmet e përditshmërinë e saj. Burimet arkivore janë prova e historisë sonë, dëshmuesit e vlerave kombëtare e shoqërore të shqiptarëve, humanizmit, tolerancës fetare, solidaritetit njerëzor, kontributeve të shqiptarëve jo vetëm për, por edhe për të tjerët, për paqen, lirinë, mbështetjen e komuniteteve apo popujve në vështirësi”.

“Teknologjitë bashkëkohore në ruajtjen e dokumentacionit dhe modernizimi i shërbimeve arkivore i kanë bërë arkivat shqiptare një institucion modern, dinjitoz, të admiruar e të vlerësuar, jo vetëm nga ne, shqiptarët, por edhe nga institucionet dhe agjencitë partnere.
Arkivi u shërben të gjithëve, nga institucionet qendrore të shtetit, te qytetarët e thjeshtë.
Mirënjohje, në emër të Kuvendit, drejtuesve dhe punonjësve të Arkivit për kontributin dhe shërbimet ndaj institucioneve, studiuesve dhe qytetarëve”, tha Nikolla.

Drejtori Bido e vuri theksin në fjalën e tij tek dobitë e procesit të digjitalizimit të dokumenteve, që krahas ruajtjes së lëndës arkivore, bën të mundur aksesin e barabartë të qytetarëve në informacion, pavarësisht vendodhjes.

“Nëse do të shohësh gjendjen reale të një vendi duhet të shohësh pasqyrën e vet, vendin ku ruhen aktet administrative. Ndaj, nuk është rastësore që arkivi ka kaluar fazat e veta. Mosekzistencën fillestare, mbylljen totale gjatë regjimit komunist dhe një kalim të ngadaltë drejt konsolidimit pas viteve 1990. Sikurse Shqipëria, edhe Arkivi në vitet e fundit është në rrugën e konsolidimit total, duke vijuar përpjekjet e nisura më herët. Nëse në vitin 2018 kishte 500 mijë dokumente të skanuara, sot ka 15 milionë në vetëm pak vite. Ky proces digjitalizimi ka bërë të mundur që të shmangim shërbimin e lëndës arkivore në original për studiuesit dhe të shtojmë mundësitë e shërbimit të dokumenteve edhe jashtë, pavarësisht vendit se ku studiuesi ndodhet. Sot kemi nga Haniaja në Kretë e deri në Mitrovicë dhe nga Palermo e Cosenza e arbëreshëve deri në Manastirin e Alfabetit, nga Saranda deri në Istog, sallat tona të studimit. Aktualisht janë mbi 60 salla studimi të hapura në Ballkan dhe në Italinë e Jugut, që mundësojnë shërbimin e lëndës arkivore njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë”, tha Bido.

Në vijim të fjalës së tij, Bido u ndal tek investimi në ndërtimin e vendruajtjeve të dokumenteve në kushte optimale dhe në përpjekjet e DPA-së për të lëvruar arkivistikën si shkencë më vete.

“Në vitin 2020 ne përuruam Vendruajtjen e re në Shkozë, teksa jemi duke përmirësuar kushtet e dy ndërtesave të tjera ekzistuese të përshtatura si ndërtesa arkivore. Kemi restauruar po ashtu ndërtesat në Elbasan, Lushnje, Durrës dhe Rrëshen, Prej vitit 2017, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, si edhe me Institutin për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, si edhe me institucione akademike, kemi arritur të organizojmë çdo vit Konferencën Mbarëkombëtare të Arkivistikës dhe të publikojmë revistën e përbashkët unikale në shqip mbi arkivistikën. Po ashtu, DPA-ja publikon regullisht botimet e saj. Ky nuk është një bilanc, por është mishërimi në vepra i vizionit me të cilin vijuam punën e brezave të mëparshëm të arkivistëve”, tha Bido.

Presidenti Begaj dhe Nikolla të shoqëruar nga drejtori Ardit Bido, bëri një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, ku pa sallën e studimit të arkivës.

Kreu i Shtetit pasi vizitoi investimet e reja si muzeun arkivor, atë digjital dedikuar të rinjve me synim njohjen e tyre me arkivën, përgëzoi drejtorin Bido për vullnetin, përkushtimin dhe profesionalizmit në transforminin e institucionit. atsh/A.K./TemA



Të ndryshme
Më shumë