Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale një album fotografik me imazhe të cilat u bënë pjesë e konkursit ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”.
AKT fton të zbulohet historia e lashtë e Shqipërisë përmes një udhëtimi nëpër sitet arkeologjike, vende magjepsëse për t’u parë e studiuar, të cilat evokojnë shndritjen e antikitetit deri në ditët tona.
Në njërën prej fotove dallohet amfiteatri i Hadrianopolis, një nga më të bukurit dhe më të vizituarit në vendin tonë.
Ai gjendet gjatë zbritjes në luginën e Drinos, në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër – Sarandë dhe fotografia është realizuar nga Matthew Janzen.
Parku Arkeologjik i Apolonisë, pas Dyrrahut, qyteti më i rëndësishëm ilir në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet, me të njëjtin emër për nder të Feb Apolonit lajmësit të Perëndive të Olimpit, vjen nga një foto e Eduart Gjonit.
E ngritur mbi një kodër në Mallakastër, Apolonia zotëronte tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë (Aoos) lidhej me detin Adriatik.
Një tjetër atraksion i rëndësishëm është Amfiteatri antik i Butrintit, në Sarandë, një nga monumentet e qytetit antik, ndërtimi i të cilit daton në shekullin e III para Krishtit.
Ai u zbulua nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini në vitet 1928-1930. Gjetja më e madhe e tij ishin një sërë shtatoresh, ndër to “Dea e Butrintit”, të cilat u zbuluan në skenën përballë teatrit. (Fotografia nga Ibo Pirjasi).
Dhe Parku Arkeologjik Bylis, që vjen përmes fotografisë së Ardian Fezollarit, apo qyteti antik i Bylisit, është më i denji i qytetërimit ilir.
Teatri i Bylisit, i ndërtuar në fillim të shekullit të 3 para lindjes së Krishtit me një kapacitet 7500 vendësh, një nga veprat më të mëdha të kohës.
Bylisi ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Ballsh -Tepelenë, vetëm 35 km nga Fieri, dhe 1,5 km nga qendra e fshatit Hekal./ATA