TV LIVE
Nga Rajoni
28 May 2024
UBT marrëveshje me Universitetin BOKU të Vjenës, Rama: Kemi investuar rreth 16 milionë euro, destinacion për studentët e rajonit me standarde evropiane

Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij e quajti një moment historik këtë marrëveshje, edhe pas vështirësive që Universiteti Bujqësor i Tiranës kaloi, me uljen e regjistrimeve nga ana e studentëve.

“Moment historik për universitetin tuaj, një moment jo i shpeshtë kur të marrurit me politikë ka siklete dhe të bën të mendosh ç’mu desh kjo punë, të jep një satisfaksion që pastaj të gjithë të tjerat i bën Allahu”, u shpreh Kryeministri.

Rama tregon edhe historinë se si në periudhën kur Universiteti nuk ishte në situatë të mirë, u përfol mundësia që për të studiuar në UBT të ulej mesatarja e pranimit të studentëve, ide që siç thotë kryeministri, erdhi nga rektori Fatbardh Sallaku.

“Përpara tre vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve dhe rektori edhe me një propozim, që ishte një propozim i juaji i përbashkët për Ministrinë e Arsimit dhe atë të Bujqësisë, për të ulur mesataren e hyrjes në Universitetin Bujqësor. Unë isha kundër kësaj ideje sepse nuk më bënte sens që nxënësit po tregonin më pak interes, të ulej mesatarja”, tha kreu i qeverisë.

Ndërsa tashmë UBT cilësohet si një Universitet me standarde evropiane, që do të tërheqëse shumë studentë edhe nga rajoni, për të marrë dije njësoj si në universitet më të mira të Vjenës.“I thash rektorit që duhet të synojmë dhe ta bëjmë Universitetin Bujqësor atraktiv dhe ta bëjmë një destinacion edhe për studentët e rajonit, duke u ndërkombëtarizur me një universitet ekselence në rajon. Një universitet që merr atë çfarë do merrje në një universitet në Vjenë. Rektori nuk më besonte se nuk ia lejonte as partia, por ne u bëmë bashkë.”

Deri më tani, për UBT janë investuar për UBT, thotë kryeministri. “Rreth 16 milion euro të dhëna për Universitetin Bujqësor, pa llogaritur konviktet. Nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat, është një program për ta transformuar në një universitet ekselence me ndikim rajonal.”

Qëllimi kryesor i saj është reformimi i thellë i UBT-së, në mënyrë që ai të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive.

Marrëveshja e sotme vjen si rezultat i nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje në muajin prill të këtij viti në Austri, mes Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe ministrive homologe austriake për “Zbatimin e Strategjisë UBT 2030”, – e cila autorizon dy universitetet përkatëse që të dakordësojnë një marrëveshje specifike bashkëpunimi për implementimin e këtij projekti për katër vitet e ardhshme.

Universiteti Bujqësor i Tiranës do të shndërrohet në një Qendër Ekselence Rajonale, me synimin final që në fund të këtij bashkëpunimi katër vjeçar të ketë diploma dyfishe dhe programe të përbashkëta të njehsuara me BOKU në Vjenë.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Koordinatori i Projektit Z. Hubert Hasenauer, rektorët e UBT dhe BOKU përkatësisht z. Fatbardh Sallaku dhe znj Eva Schulev-Steindl, si dhe pedagogë, studentë, specialistë të arsimit, etj.



Të ndryshme
Më shumë