TV LIVE
Nga Rajoni
27 May 2024
Kosova bëhet anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi të hënën vendimin për ngritjen e statusit të Kosovës në anëtarë të asociuar në këtë organizatë.

Shumica e vendeve votuan pro, një ishte kundër ndërsa 14 abstenuan.

Që nga viti 2014 Kosova kishte statusin e anëtares vëzhguese ndërsa me ngritjen e statusit tashmë parlamentit të Kosovës i lejohet të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e Komiteteve dhe nënkomiteteve, seminaret e Rose-Roth dhe seancat plenare ku mund të paraqesë rezoluta dhe ndryshime në rezoluta.

Vendet e asociura megjithatë nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë Parlamentare dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Ngritja e përfaqësimit të parlamentit të Kosovës në këtë organizatë është kundërshtuar ashpër nga Serbia, përfaqësues të së cilës kanë thanë se statusi i asociuar për Prishtinën është shpërblim, ndërsa ajo po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të penguar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për të mos përmbushur detyrimet e saj nga marrëveshja e Brukselit.

Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj në rrjetet sociale tha se NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në tokë të dëgjohet. “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkroi ajo.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare këshilluese për NATO-n dhe përfaqësohet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të NATO-s./Voa



Të ndryshme
Më shumë