E shtuna rezervon shumë emocione, por edhe trofe, me tri finale spektakolare.
MANCHESTER UNITED – MANCHESTER CITY
Në orën 16:00 në “Wembley” Manchester United dhe Manchester City do të diskutojnë trofeun më të vjetër të historisë së futbollit, në finalen e FA Cup, në edicion numër 143 të saj.
Një finale që përsëritet ashtu si sezonin e kaluar, teksa fituesit e edicionit te kaluar dhe njëkohësisht kampionët e Anglisë, Manchester City, do të zbresin në këtë përballje me motivimin e duhur, për vetë faktin se po kalojnë një periudhë shumë pozitive dhe mbyllja e sezonit me këtë trofe do të ishte vërtet spektakolare. Skuadra e Pep Guardiola-s vjen pas 7 fitoreve radhazi, në një seri ku ka pësuar vetëm dy gola.
Në krahun tjetër, Manchester United luan shumë në këtë finale, pasi “Djajtë e Kuq” e mbyllën kampionatin në vendin e tetë dhe në këtë sfidë luajnë edhe Europën. Jo vetëm kaq, pasi Erik Ten Hag rrezikon edhe shkarkimin në rast dështimi, teksa United vjen këtu pas dy fitoreve radhazi në Premier League, por të vetmet në pesë ndeshjet e fundit.
Kjo do të jetë përballja e tretë sezonale, teksa dy të parat i ka fituar City me një golavarazh 6-1, ndërsa do të jetë përballja numër 193 në histori, e 11 në FA Cup. Bilanci i përgjithshëm flet për United që kryeson me 78 fitore kundrejt 61 të City-t, teksa 53 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Manchester United kërkon trofeun e 13-të në histori, ndërsa në krahun tjetër, City kërkon të festojë suksesin e 8 në FA Cup.
CELTIC-RANGERS
Në të njëjtin orar, 16:00 disa kilometra më larg, në Glasgow do të luhet “Old Firm”, finalja e Kupës së Skocisë, Celtic-Rangers.
Kampionët e saposhpallur të Skocisë dhe fituesit në fuqi të Kupës, Celtic nisen si favoritë, teksa vijnë në këtë përballje pas 11 fitoresh radhazi, me humbjen e fundit që është arkivuar më 3 Mars.
Rivalët e përjetshëm të Rangers do të provojnë gjithçka në këtë përballje, teksa do të kërkojnë të rikthehen te ky trofe pas sezonit 2021-2022.
Në katër takimet e këtij sezoni, Celtic ka fituar 3, ndërsa Rangers mori një barazim në duelin e 7 Prillit.
Kjo do të jetë përballja e parë midis dy skuadrave në finalen e Kupës së Skocisë pas 22 vitesh, me finalen e fundit të luajtur në sezonin 2001-2002 dhe janë dy skuadrat më të suksesshme të këtij kompeticioni, me Celtic që do të kërkojë trofeun e 42-të në histori, ndërsa Rangers të 35-in.
KAISERSLAUTEN – BAYER LEVERKUSEN
Në orën 20:00, Kupa e Gjermanisë do të mësoj fituesin e këtij sezoni me finalen Kaiserslauten – Bayer Leverkusen, takim që do të luhet në “Olympiastadion”.
Skuadra e Funkel është surpriza më e bukur e këtij sezoni, teksa në Bundesliga 2 luftoi deri në fund me mbijetesën dhe rikthehet në finale pas 21 vitesh, pas sezonit 2002-2003 dhe është dy herë fituese e këtij kompeticioni, ndërsa do të luajë finalen e tetë në histori.
Përballë do të jetë Bayer Leverkusen, kampionë e Gjermanisë dhe njëkohësisht finalistët e Europa League. Skuadra e Xabi Alonso-s përjetoi një super sezon në Gjermani dhe jo vetëm duke regjistruar 51 ndeshje pa humbje, por në finalen e Europa League-s nuk ia doli ndaj Atalanta-s në humbjen 3-0.
Një disfatë që mund të ketë shkundur disi “Aspirinat”, që tani do të kërkojnë të mos përsërisin gabimet e bëra ndaj italianëve dhe të koleksionojnë trofeun e radhës në tokën gjermane.
Leverkusen rikthehet në finalen e Kupës së Gjermanisë pas sezonit 2019-2020 dhe do të luajë finalen e katërt, teksa e ka fituar vetëm një herë në edicionin 1992-1993.