Ballkani Perëndimor mbetet vulnerabël nga aktorë që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme larg Europës dhe vlerave demokratike. Kështu u preh presidenti Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen sllovene, Nataša Pirc Musar. Sipas tij shqiptarët janë faktor stabilizues dhe kontribues në rajon.
“Shqiptarët janë faktor stabilizues dhe kontribues në rajon dhe me orientim euroatlantik Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë në NATO. Kosova është drejt proceseve integruese. Ballkani Perëndimor mbetet vulnerabël nga aktorë që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Europës dhe vlerave demokratike. Agresioni rus ndaj Ukrainës është një sinjal alarmi për të zvogëluar rreziqet nga këta aktorë”.
Kreu i shtetit shqiptar e vuri theksin tek bashkëpunimi ekonomik mes Sllovenisë dhe Shqipërisë, ku një linjë ajrore direkte mes dy vende do të rriste kontaktet dhe rritjen e turistëve, ndërsa ftoi sipërmarrësit sllovenë të investojnë në vendin tonë.
“Shqipëria mirëpret investimet direkte sllovene. Ekonomia jonë është dinamike dhe në rritje. Ftoj sipërmarrësit sllovenë të investojë në Shqipëri në financën bujqësi teknologji informacioni e shumë fusha të tjera. Të rrisim kontakte mes qytetarëve tanë. Një linjë ajrore direkte do të ishte mundësi e mirë për shtim të kontakteve dhe rritje te numrit të turistëve. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është shumëdimesional dhe përfshin shumë fusha. Sllovenia mbetet një vend mik dhe marrëdhënien që kemi ta kultivojmë më shumë”.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja e Sllovenisë dhe delegacioni që e shoqëron pritet të vizitojnë disa pika tërheqëse turistike të vendit.