Emigracioni i paligjshëm, përfshirja e Britanisë në projektin për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe ecuria e bashkëpunimit në rajon, ishin disa prej pikave kyçe në të cilat u ndal takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Kameron (Cameron).
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kameron, Rama u shpreh se Britania synon të jetë më e pranishme në rajon, dhe në këtë kuadër kreu i qeverisë bëri me dije se Mbretëria e Bashkuar do të përfshihet në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Ai tha se Britania e Madhe ka shprehur interes të përfshihet me financim dhe ekspertizë.
Po ashtu, Rama deklaroi se së shpejti hapet gara ndërkombëtare për Portin e ri tregtar të Durrësit, ndërsa shtoi se po presin përgjigjen përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të Portit të Durrësit.
“Është ditë e posaçme pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë I rëndësishëm, sekretarin e shtetit për çështjet e jashtme lordin Kameron por edhe një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe Shqipërisë.
Jam i bindur që do rikthehet përsëri. Kemi diskutuar për marrëdhëniet tona dypalëshe shumë të mira dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre, për të cilin kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë dhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, në kushtet kur Britania synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë.
Dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Britanisë në një projekt strategjik me rëndësi të veçantë për Shqipëri-Kosovën e rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve, por në rajon dhe më gjerë.
Së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit. Po presim përgjigjen përfundimtare të NATO për krahun ushtarak të Portit të Durrësit dhe njëkohësisht edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë”, u shpreh Rama.
Më tej kreu i qeverisë u ndal edhe te emigracioni paligjshëm, për të cilin bëri me dije se do të intensifikohet bashkëpunimi Britani-Shqipëri për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni.
“Për të gjitha këto së bashku, ky projekt tejkalon interesin e dy vendeve dhe në të cilin Britania ka shprehur interesin të përfshihet me financim dhe ekspertizë.
Sekretari është një avokat i rëndësishëm në proceset transformuese të rajonit tonë.
Kemi folur edhe për projektin apo programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura. Operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do jetë maksimale edhe në vazhdim, gjë që lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për ti shkuar në rrënjë këtij fenomeni që ka të bëjë me rrjetet e krimit të organizuar”, shtoi kreu i qeverisë.
Sakaq, normalizimi i marrëdhënieve rajonale e procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, ka qenë një tjetër temë diskutimi mes dyshes Rama-Kameron.
“Kemi diskutuar për ecurinë e bashkëpunimit në rajon. Kameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet që Britania ka shprehur interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe procesit të dialogut me Kosovës e Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë dhe ka dhe ngecie në vend apo në vijimësi ndihet dhe rreziku i kthimit mbrapa”, tha Rama./ATSH