Arif Molliqi
Këto ditë në objektin e Mejtepit të Tahir ef. Llukës, në fshatin Llukë e Epërm, është vendosur pllaka e asetit të trashëgimisë kulturore.
Po kush ishte Tahir efendi Lluka që, përveç Mejtepit – shkollës, la pas vete edhe katër vepra në dorëshkrim.
Tahir Efendi Lluka me veprimtarinë e tij iu përket dy shekujve. Ai ka një veprimtari të gjerë dhe origjinale, që lidhet me botimet e tij me karakter fetar dhe pedagogjik në gjuhën amtare shqipe, si dhe me punën e tij mësimore – mejtepin, të ngritur nga ai vetë në vitin 1886, 1318H, në Llukë. Ai u fut në radhët e pishtarëve të shkollimit shqip në Kosovë, sepse Tahir Efendi Lluka nisej nga parimi që shkrim-leximi në gjuhën amtare shmang prapambetjen dhe e ngre kombin shqiptar në radhën e kombeve të tjerë të qytetëruar.
Tahir Efendi Lluka arsimin fillor e bëri në Shkup, kurse të mesmin e më tej i vazhdoi në Stamboll, ku u shqua për rezultate të shkëlqyera. Ai u emërua profesor i Shkollës së Lartë Fati në Stamboll në kohën kur rektor ishte Hasan Tahsini. Ai ishte mik e bashkëpunëtor edhe i Jani Vretos etj.
Tahir Efendi Lluka u kthye në vendlindje, në fshatin Llukë e Epërme, ku ngriti një mejtep, që për gjuhë mësimi kishte gjuhën shqipe. Shkrimi i gjuhës shqipe në këtë mejtep bëhej mbi bazën e grafisë arabe sipas alfabetit që e kishte krijuar ai vetë në vitin 1874. Këtij alfabeti i janë përmbajtur edhe shumë autorë të tjerë në trevat e Kosovës.
Veprimtaria e Tahir Efendi Llukës nuk u pa me sy të mirë nga organet e shtetit të kohës. Kur ai shkoi në Stamboll, mjediset qeveritare dhe ato fanatike e akuzuan për ndërmarrjen e tij dhe e zhduken.
Veprimtaria e tij botimore dhe ajo në fushën e praktikës pedagogjike kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, si të Muhamed Pirrakut, Abdullah Hamitit etj.
Vdiq në prag të Kongresit të Manastirit.
Mejtepi në fshatin Llukë e Epërme
Lloji: Arkitekturore
Vendndodhja: Lluka e Epërme, Deçan, Kosovë
Ndërtuar: shek. XIX
Emri zyrtar: Monument/Ansambël
Lloji: Në mbrojtje
Nr. i referencës: 1622