TV LIVE
Sport
21 May 2024
Granit Xhaka, në ekipin ideal të sezonit në Bundesligë

Pasi kishte shkëlqyer me Borusia Mynshengladbah vite më parë, ylli kosovar e bëri të njëjtën gjë edhe në këtë edicion. Përfaqësuesi zviceran i dha fund eksperiencës angleze me Arsenalin për t’u rikthyer në kampionatin gjerman. Shumëkush e kritikoi veteranin e mesfushës, duke konsideruar se e kishte bërë një hap prapa në karrierë pasi e la atë që konsiderohet si liga më e fortë në botë – Premier Ligën.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Baselit i heshti kritikët duke e marrë në dorë ekipin e Bajer Leverkuzenin. Xhaka me “Farmaceutikët” e mbylli sezonin përrallor në Bundesligë pa e pësuar asnjë humbje, për t’iu bashkuar kështu rekordeve të regjistruara paraprakisht nga Arsenali, Milani e Juventusi. E falë paraqitjeve solide, Xhaka s’kish se si të mos shpërblehej.

Faqja e specializuar për transfere dhe vlerësime të lojtarëve, e ka përfshirë Granitin në ekipin ideal të sezonit në Bundesligë. Kampioni i freskët gjerman vlerësohet 20 milionë euro, ndërsa e gjen veten përpara mbrojtjes ideale. 31 vjeçari i ka zhvilluar 33 ndeshje në Bundesligë, me ç’rast i ka shënuar tre gola.

Gjithashtu, Xhaka ka mundësi ta fitojë edhe Ligën e Evropës, ku në finale do të përballet me Atalantën. Aty, futbollisti luftarak i ka zhvilluar 10 ndeshje dhe i ka dhuruar dy asistime.



Të ndryshme
Më shumë