TV LIVE
Nga Bota
20 May 2024
Kush është Muhammad Mukhbar, zv.presidenti që do të drejtojë Iranin pas vdekjes së Raisit?

Zv.presidenti i parë i Iranit, Muhammad Mukhbar, është personi që do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm në vend, pas vdekjes së Ebrahim Raisit në një aksident ajror.

Kushtetuta e Iranit parashikon që zgjedhjet presidenciale të mbahen 50 ditë pas vdekjes së kreut të shtetit, ndërsa neni 131 i Kushtetutës së Republikës Islamike parashikon se “në rast të vdekjes, shkarkimit, dorëheqjes, mungesës ose sëmundjes së presidentit, që zgjat më shumë se dy muaj”, zëvendëspresidenti i parë merr përsipër detyrat e tij.

Sakaq, procesi duhet të miratohet nga udhëheqësi suprem i Iranit, post që mbahet nga Ayatollah Ali Khamenei.

Kushtetuta parashikon që një këshill, i përbërë nga “kryetari i parlamentit, kreu i drejtësisë dhe zv.presidenti i parë, duhet të organizojë zgjedhjet për një president të ri brenda një periudhe 50-ditore”.

Por kush është Muhammad Mukhbar?

Presidenti i ri i përkohshëm i Iranit është 68-vjeç. Ai u emërua në detyrë në gusht të vitit 2021 nga Raisi dhe konsiderohet i afërt me liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei , i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e qeverisjes.

Muhammad Mukhbar ka lindur në Dezful të provincës Khuzestan dhe ka mbajtur shumë poste të larta. Ai ka shërbyer edhe si drejtues i disa kompanive dhe që nga viti 2007 ka qenë kryetar i Fondacionit të Urdhrit të Imamëve (Setad), i cili menaxhon pronat e konfiskuara pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Sipas britanikes The Guardian, Mukhbar nuk konsiderohet një person që mund të qëndrojë gjatë në postin e presidentit.

Ai ishte pjesë e delegacionit iranian që vizitoi Moskën, tetorin e kaluar, dhe ra dakord të furnizonte me raketa tokë-tokë dhe dronë forcat e armatosura të Rusisë.

Në vitin 2010, emri i tij u përfshi në një listë të individëve dhe subjekteve të sanksionuar nga Bashkimi Europian për përfshirje në “aktivitete bërthamore ose raketore balistike” dhe dy vjet më vonë emri i tij u hoq nga kjo listë.



Të ndryshme
Më shumë