Një histori e pabesueshme u zbulua në 24 orët e fundit në Algjeri. Një person që u rrëmbye në vitin 1998 në moshën 19-vjeçare, u mbajt për 26 vitet e fundit në një bodrum, vetëm 200 metra larg shtëpisë së familjes së tij, njoftojnë mediat ndërkombëtare.
Përcaktues për t’i dhënë fund rrëmbimit të Omar Bin Omranit, në fakt ka qenë informacioni i vëllait të rrëmbyesit, i cili dyshohet se ka ngritur dyshime me një postim në rrjetet sociale, pasi kishin probleme me trashëgiminë.
Në një video të lirimit të 45-vjeçarit Omran sot, duket se burri mbahej peng në një hapësirë të nëndheshme, nën stallën e rrëmbyesit të tij, i cili e kishte rrëmbyer, teksa i riu asokohe shkonte në shkollë. Pas lirimit, Omran u dërgua në spital ku iu nënshtrua analizave, ndërsa fqinji i tij 61-vjeçar i arrestuar pritet të dalë në gjykatë.
Përveç rrëmbimit, 61-vjeçari i arrestuar akuzohet edhe për vrasjen e një qeni që ishte me Omranin në momentin e rrëmbimit të tij, teksa kafsha bridhte rreth shtëpisë së rrëmbyesit, një muaj pasi 19-vjeçari u zhduk. Raportet e mediave lokale thanë se 61-vjeçari ishte një nëpunës civil dhe jetonte vetëm në shtëpi, megjithëse shpesh shihej duke blerë furnizime që do të ushqenin dy persona.
Shumica e familjes së Omranit kishin besuar se ai kishte vdekur gjatë luftës civile në Algjeri, ndërsa nëna e tij, e cila vdiq në vitin 2013 kishte pohuar se djali i saj ishte gjallë. Ajo raportohet të ketë thënë pak para se të vdiste: “Ju lutem, mos ndaloni së kërkuari Omarin! Jam e sigurt se ai është ende gjallë”.