Kryeministri Edi Rama, pas takimit me emigrantët shqiptarë në Galatsi, në Athinë, ka dhënë edhe një prononcim të shkurtët për mediat greke.
Kreu i qeverisë shqiptare është pyetur nga gazetarët nëse takimi i djeshëm kishte lidhje me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pasi bëhej një vit nga arrestimi i tij. Rama është shprehur se nuk ka një lidhje të tillë, ndërsa shtoi se kjo është histori e politikës greke dhe jo e jona.
“Nuk ka çështje të tillë, nuk është histori për ne. Kjo është histori e politikës greke. Nuk është historia jonë dhe nuk ka të bëjë me ne”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri pas fjalimit të tij në Athinë, është pyetur edhe për marrëdhëniet greko-shqiptare, ku tha: “Shpresoj se do të arrijmë të bëjmë diçka që përputhet me marrëdhëniet fantastike mes njerëzve të zakonshëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Ata meritojnë më mirë dhe ne duhet t’u japim politika shumë të ndryshme.”
Kryeministri Rama zhvilloi dje, 12 maj, një takim me emigrantët në Athinë, takim që shënoi edhe nisjen e turit me diasporën.
Një fjalim më shumë se një orë, Rama i bëri një skaner marrëdhënieve shqiptaro-greke për të cilat tha se janë mijëravjeçare, teksa akuzoi politikën se ka futur përçarje mes dy popujve kaq shumë të lidhur.
Rama foli për heqjen e ligjit të luftës nga pala greke, ndërsa dha lajme të mira si për pensionet, lejet e qëndrimet dhe bashkëpunimin ekonomik.