TV LIVE
Nga Rajoni
9 May 2024
Argita Malltezi e bindur: Sali Berisha do e rrëzojë nga pushteti Edi Ramën. Pas tij, mund të kandidoj unë për kryetare e PD

Argita Malltezi, duke folur pët Beti Njuman, shprehet se Sali Berisha do rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.

A rrezikohet mandati i z. Berisha, dhe si e shihni të ardhmen e tij politike?

Nëse njeriu bën llogari dhe nëse mendon që të fitojë në çdo hap, nuk shikon panoramën e madhe dhe merret me betejat e vogla.

Piktura e madhe është shumë më e rëndëishme se sa betejat e vogla. E madhja është lufta për demokracinë, për rrëzimin e një diktature që sapo është instaluar dhe që në rastin konkret shfaqet me kontrollin e drejtësisë.

Po t’i kthehemi ekonomisë, në uzurpimin e fondeve publike dhe në shpërdorimi masiv të tyre si në Bashkinë e Tiranë si në qeveri.

Nëse kthehemi tek rendi shikojmë bashkëpunimin e policisë me bandat kriminale dhe kthimin e Shqipërisë në një narko-shtet.

Prandaj të gjitha këto janë më të rëndësishme se një mandat. PD-ja do t’i vazhdojë betejat e saj së pari me mos bindje civile.

Si i keni parë hetimet ndaj zyrtarëve të PS-së?

Është shumë e thjeshtë panorama: nga njëra anë ke të gjithë liderët e opozitës në procedim penal, në anën tjetër nuk ka as Veliajn, as Ramën dhe as krerët e tjerë të këtij niveli në procedim penale. Kjo është drejtësia e kapur dhe ajo nuk mund t’i japë drejtësi pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Sot korrupsioni është aq i madh sa ka arritur të skedulojë një çështje, apo për të mbyllur një çështje gjyqësore. Pra, korrupsioni është galopant.

Ka pasur një opinion të Komisionit të Venecias ku ngrinte shqetësimin për reformën në drejtësi lidhur me atë që e quan si kooperativizmi i strukturave që nuk kontrollohen nga strukturat e shtetit.

Dhe këtu është rasti i SPAK, ku as në një vend totalitar nuk mund të ndodhë kjo. Pra këta janë një trupë që ka kapërcyer çdo mekanizëm të shtetit ligjor dhe kanë kapërcyer edhe gjykatat, pra një strukturë ekstra-ligjore.

Në përbërje të kjësaj strukture janë njerëz plotësisht të kapur, si: Irena Gjika, z. Dumani, të cili i kanë dhuruar në mënyrë të çuditshme një apartament dhe e ka kaluar vettingut, kur kolegët e tij për shumë më pak janë nxjerrë jashtë sistemit. Kemi Millionain e Elbasanit, ku zonja nuk e hape kurrë procedimin për Qazim Sejdini.

Arben Kraja, një njeri që ka hetuar dosjen e incineratorit të Tiranës, në një kohë që kishte dy familjarë të tij në Bashkinë e Tiranës.

Pra kjo strukturë nuk ju jep shpresë as për dosjen “Xibraka”?

Një gjë e them me siguri që këto çështje kanë qenë në dosjen e prokurorisë. Dhe nuk ka pasur asnjë lloj dileme për personat e përfshirë. Ta shikojmë çdo të ndodhë sot.

Angazhimi juaj politik, e keni mohuar, por çfarë do të bëjë Argita Malltezi?

Sali Berisha është lideri i Partisë Demokratike. Ai do të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën, dhe këtë ua them me plot bindje.

Nuk kam asnjë lloj aspirate për të bërë këtë lloj karriere, por nuk më ndalon të ndërmarr asnjë lloj vendimi nëse duhet për të çuar përpara një angazhim politik. E vetmja gjë që më penalizon është ndoshta eksperienca që kam në prapaskenë, duke parë se çfarë angazhimi titanik kërkon qeverisja e vendit, përgjegjësia ndaj njerëzve nëse respektohen të gjithë normat ligjore.

Si i shihni rrymat në PD?

Mendoj se çdokush ka të drejtën e opinionit politik të tij. Nëse një parti politike dhunohet në masën sa i marrin në mënyrë të kundraligjshme vulën, i arrestojnë në mënyrë të paligjshme liderin e saj, i heqin në mënyrë të kundërligjshme fondet politike, kjo është një parti politike që nuk do të ngjallë dot shpresë dhe që nuk tremb askënd, ku tashmë kundërshtari dhe krimi janë shkrirë në një.

Sigurisht beteja e madhe është rrëzimi i Edi Ramës, ku nuk arrihet dot në katin e pestë pa kaluar më parë në katin e parë.

Si e patë thirrjen e kryeministrit Rama për opozitën për një rezolutë anti-korrupsion?

Ujkut nuk mund t’ia lësh kurrë mëlçitë për të ruajtur. Se mund të jetë Edi Rama promotor i luftës anti korrupsion, këtë nuk ka njeri që mund ta besojë. Edi Rama është zemra e çdo lloj afere korruptive që ka ndodhur në Shqipëri. Nuk mund të kishte incineratorë, check-up, Sterilizim pa rolin e Edi Ramës. Edi Rama dhe anti-korrupsioni janë dy terma që nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Ai sigurisht që e do këtë për kozmetikën e tij, por besoj se PD-ja nuk do t’ia lërë Edi Ramës mëlçitë për t’i ruajtur.

Ju jeni dakord për një ndryshim të ligjeve që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë?

Absolutisht që kjo nuk mund të bëhet me Edi Ramën, por po që reforma në drejtësi duhet transformuar plotësisht duhet bërë.



Të ndryshme
Më shumë