TV LIVE
Sport
4 May 2024
DAKU MES MË TË MIRËVE TË RUSISË/ Sulmuesi shqiptar kandidat për “Lojtarin e sezonit”

Paraqitjet e tij në fushën e lojës me Rubin Kazanin, kanë bërë që sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku të nominohet si një prej kandidatëve për të fituar çmimin si ‘Lojtari i sezonit’ apo edhe ‘Sulmuesi më i mirë’, në Rusi.

Mirlind Daku nominohet si një prej kandidatëve për çmimet “Lojtari më i mirë i sezonit” dhe Sulmuesi më i mirë” në elitën e futbollit rus, për këtë sezon.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka impresionuar gjithkënd me paraqitjet e tij në fushën e lojës me Rubin Kazan-in dhe kjo ka bërë që ai të jetë një prej kandidatëve për fitimin e këtyre çmimeve.

Bomberit kuqezi i kanë mjaftuar shumë pak kohë për të qenë vendimtar me fanellën e skuadrës ruse, duke qenë një ndër futbollistët më produktiv dhe më efikas për klubin nga Kazani.

26-vjeçari ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në kampionat në 7 raste, ndërsa ka dhuruar edhe 4 asiste për shokët e ekipit. Gjithashtu, ai është nominuar për çmimin e debutuesit të vitit dhe për asistimin e vitit, të kampionatit rus.

Votimi do të kryhet nga tifozët, i cili do të zgjasë deri më 13 maj, ndërsa pjesa tjetër do të varet nga votat e ekspertëve, të cilët do të kenë mundësi të votojnë nga 15 deri më 24 maj.

Sulmuesi kuqezi u transferua te Rubin Kazani, gjatë merkatos së verës, nga skuadra e Osijek në Kroaci, për shifrën e 1.2 milionë eurove.

Kapërcimi në Premier League-n e Rusisë i ka shërbyer edhe si trampolinë 26-vjeçarit, i cili për herë të parë u grumbullua edhe me Kombëtaren kuqezi.

Daku po kalon një formë mjaft të mirë dhe ky është një lajm pozitiv edhe për vetë trajnerin Silvinjo, i cili po vijon punën me përgatitjet për listën e lojtarëve që do të thërrasë për në Europian.



Të ndryshme
Më shumë